Bode: Reformat e qeverisë afrojnë vendin me BE
Ministri i Financave Ridvan Bode ka deklaruar se qeveria e djathtë ka mbajtur premtimet, duke përmendur këtu luftën me tolerancë zero ndaj korrupsionit, uljen e taksave si dhe dyfishimin e pensioneve. E në këtë kontekst ai tha se reformat e qeverisë po e afrojnë gjithnjë e më shumë vendin me Bashkimin Europian. Gjatë turit të tij Shqipëria po Ndryshon, ministri Bode është ndaluar në komunat Stravaj e Qukës të rrethit të Librazhdit, ku ka zhvilluar takime me banorët e këtyre zonave.
Në komunën e Qukësit, ministri Bode ka inauguruar përfundimin e punimeve për asfaltimin e rrugës që lidh qendërkomunën me rrugën kombëtare. Ai tha se gjatë katër viteve në Librazhd qeveria ka investuar 22 miliard lekë ndërsa në 8 vitet e qeverisë socialiste janë investuar vetëm 5,5 miliard lekë. Më tej ministri i Financave njoftoi se shumë shpejt do të nisin punimet për ndërtimin e superstradës Qukës Qafëplloçë.