Topi-Galan: Shqipëria, mundësi të shumta për investitorët italianë
Presidenti Bamir Topi ka vlerësuar Italinë si partnerin kryesor të Shqipërisë, ndërsa është shprehur për zhvillim të mëtejshëm të marrëdhënieve në fushat politike, ekonomike, tregtare dhe turistike, përfshirë këtu dhe rajonin e Venetos, gjatë një takimi të ka zhvilluar me presidentin e këtij rajoni, Xhankarlo Galan.
Në fjalën e tij, presidenti Topi ka nënvizuar se do të inkurajonte çdo iniciativë me projekte nga bizneset italiane, si dhe çdo bashkëpunim për promovimin e potencialeve turistike e njohjen e Shqipërisë, duke shprehur besimin se Rajoni i Venetos mund të kontribuojë në këto drejtime, nisur nga eksperienca në fushën e turizmit, si një rajon shumë i vizituar nga turistë të vendeve të ndryshme. Ndërsa nga ana e tij, Galan theksoi se Shqipëria ofron mundësi të shumta për investitorët italianë. Ndër të tjera, ai pasi rikonfirmoi mbështetjen e palëkundur të Italisë për përmbushjen e ëndrrës integruese të Shqipërisë në familjen europiane, siguroi presidentin Topi për vazhdimin e bashkëpunimit të gjithanshëm, kryesisht në sektorin e infrastrukturës, zhvillimit ekonomik, turizmit, kulturës, etj.