Basha: Bashkia ime do të dëgjojë dhe do të kthejë përgjigje
Banorët e njësisë bashkiake nr .1 në kryeqytet janë të detyruar të vetëqeverisen
Shurdhëria e bashkisë së Tiranës ndaj kërkesave të qytetarëve i ka detyruar ata të vetëqeverisen. Në njësinë bashkiake numër 1, banorët i kanë treguar kandidatit për kryetar të Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha, se janë detyruar të kryejnë ndërtime pa leje pasi bashkia nuk u ka kthyer përgjigje për kërkesat e tyre, sikundër janë detyruar që ti japin ryshfet policisë bashkiake për ti lejuar të vazhdojnë këto punime. Kjo praktikë sipas Bashës do të marrë fund me 9 maj dhe qeverisja do të vijë më pranë qytetarëve, duke u kaluar njësive vendore kompetencat për dhënien e lejeve të ndërtimit ne volume të vogla.
“Shtëpia është duke u bërë pa leje dhe është në proces legalizimi. Nëqoftëse ti na jep fjalën që policët e Bashkisë, nën drejtimin tënd, nuk do të marrin 1 milionë lek që unë të vazhdoj ndërtimin, ke votën e lagjes tone. Kam kërkuar mbi 5 herë dhe nuk kamë marrë asnjë përgjigje” - tha një qytetar. “Ti flet si i vetëqeverisur, sepse një qytet kur nuk qeveriset do vetëqeveriset. Natyrisht unë nuk jam për vetëqeverisje, unë jam për një qeverisje të përbashkët si qytetarë. Por unë ta kuptoj problemin ty dhe problemi lind te mosdhënia e kompetencave të minibashkisë. Kjo situatë do marrë fund. Kompetencat për volume e vogla do t’i ketë Kryetari i Njësisë Bashkiake” - tha Basha. “Turp, turp, turp që mos të shtrohet një copë rrugë, për 500 metra. Na shkurtoi edhe portat sepse tha se do i shtroj dhe 5 metra shtroi dhe e la” tha një banore. “Njerëzit i paguan taksat e Bashkisë dhe Bashkia nuk merr asnjë masë për të hequr plehrat. Të gjithë këto plehra i shkojnë Lanës dhe shkojnë në qendër të Tiranës” tha një banor i kësaj lagjeje. “Shikojeni këtë Lanë këtu me këto plehra. Kanë 11 vjet që na tregojnë Lanën e qendrës, por Lanën ta tregojnë të plotë siç është e vërteta dhe jo vetëm pjesën që shesin 4 apo 5 herë sa herë vjen periudha e zgjedhjeve. Nuk kam ardhur këtu për të thënë që kam ndërtuar Durrës-Kukës, kam ardhur t’u them që do ndërtoj Unazën e Madhe. S’kam ardhur për t’u thënë që kam hequr vizat, por kam ardhur për t’ju thënë se do heqim këto plehra dhe mbeturina që këtej dhe do ndërtojmë të gjitha këto lagje me rrugë të parametrave europiane me kopshte, çerdhe, shkolla dhe hapësira të gjelbra. Unë nuk vij t’u them se çfarë kam bërë, po vij t’u them se çfarë do bëjmë të gjithë së bashku dhe kështu siç jua u them sot, kështu do të fillojmë ta zbatojmë që nga data 9 maj” - tha Basha.
Basha është njohur me një tjetër problem të banorëve në zonën e Unazës së Re. Në këtë zonë, territori administrohet nga komuna e Kasharit, ndërsa banorët janë qytetarë të Tiranës. Sipas Bashës, kjo do të jetë vlerë e shtuar, dhe jo arsye, për ti lënë jashtë vëmendjes këta banorë. “Këtu me të vërtetë është një territor i administruar nga kolegu Fuçia, por është territor ku gjenden banorë të Tiranës, banorë për të cilët përgjegjësinë e ka Lulzim Basha. Sot mund të shikohet si një problem, sot mund të shikohet si diçka komplekse. Nesër ju garantoj do të jetë vlerë e shtuar edhe për bashkëpunimin Tiranë-Kashar, por edhe për fatet tuaja, problemet tuaja, hallet tuaja dhe familjeve tuaja, fakti që do keni dy njësi vendore që do kujdesen për ju, Komuna e Kasharit ku banoni dhe qyteti i Tiranës ku ju jeni qytetarë të Tiranës”- tha Basha.