Lulzim Basha kapërcen pragun e 200 mijë “votuesve” në Facebook
Në votimin e parë virtual, Basha konfirmohet si shqiptari më i votëbesuar, ndërkohë që rivali i tij për bashkinë e Tiranës mbetet ende në ritmin e diferencës 1 me 2 gjatë votimit në Facebook
Nëse Facebook do të ishte një mekanizëm për të shprehur të drejtën e votës me një klikim dhe jo në kutinë e votimit, atëherë Lulzim Basha do të mandatohej kryetar i bashkisë së Tiranës. Por kjo s’do të thotë se është e pamundur, nëse i referohemi kushteve dhe rrethanave të mbështetjes masive në rrjetin social Facebook. Faqja zyrtare e Lulzim Bashës në rrjetin social Facebook ka thyer çdo parashikim, teksa dje në orën 21:00 të mbrëmjes do të shënonte mbi 200 000 fansa. Vetëm 10 ditë më parë profili i kandidatit të Partisë Demokratike dhe “Aleancës për Qytetarin” në bashkinë e Tiranës, Lulzim Basha do të kumtonte 100 mijë fansat, ndërsa dje në mbrëmje kjo shifër do të arrinte 2-fishin, pra 202 037. Por, çfarë ndodh me mbështetësit e kandidatit kundërshtar në zgjedhjet e 8 majit për bashkinë e kryeqytetit, Edi Rama. Deri në orën 21:00 të mbrëmjes së djeshme, Edi Rama kishte në faqen e tij zyrtare 92 959 fansa. Duket qartë diferenca mes dy kandidatëve, në faqet e tyre zyrtare në rrjetin social, profile të cilat janë hapur jo më larg se para 3 javësh, me nisjen e fushatës elektorale. Prezantimi i alternativave dhe projekteve në infrastrukturë, ndërtim shkollash, kopshtet e hapësirasht e gjelbra, punësimi e mbështetja sociale, përpara një audience masive virtuale, ka krijuar pozitat favorizuese dhe disfavorizuese ndërmjet kandidatëve. Kësisoj, Lulzim Basha fiton përballjen e parë indirekte ndaj Edi Ramës, ndërsa atë direkte ia ka faturuar për në 8 maj 2011-të. Testi i Facebook nxjerr fitues bindshëm kandidatin e Partisë Demokratike dhe “Aleancës për Qytetarin”, Lulzim Basha, ku fansat e tij konfirmohen si “votues” të alternativës dhe morisë së projekteve në shërbim të qytetit dhe qytetarëve. Rrjeti social Facebook do të shërbente dy vjet më parë si nyja kryesore e fushatës elektorale për zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku kandidatët e atëhershëm si Barack Obama dhe John McCain, njohën qytetarët amerikanë me programin dhe platformën e tyre elektorale. Tashmë, Facebook është kthyer në modë dhe, edhe në Shqipëri kjo fushatë elektorale ka zënë një vend të veçantë në vëmendjen e komunitetit qindra-milionësh të Facebook-ut.