E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: “Ne, alternativa e punës dhe përkujdesjes - larg “rrugës së vetme” dhe pinjollëve të etërve që rrëzuam 20 vjet më parë”

24-04-2011 / Gazeta 55

“Aleanca për Qytetarin” çel fushatën elektorale në Koplik, Kuçovë, Poliçan e Urë Vajgurore, dhe prezanton kandidatët fitues për bashkitë respektive

“Aleanca për qytetarin” ka hapur në mbrëmje fushatën elektorale në Koplik. Kryeministri, Sali Berisha ka qenë i pranishëm për të prezantuar kandidatin e djathtë, për Bashkinë e Koplikut, Ramadan Lika. Kryeministri Sali Berisha, duke shprehur vlerësimin dhe konsideratën e tij të lartë për kandidatin e mazhorancës tha se “në 8 maj duhet t’i lëmë rrugën e vetme atij që do të bëhet, vetë kryetar i Bashkisë, vet kryetar i partisë, vetë kryeministër”. “Ju falënderoj të gjithave për mbështetjen që i keni dhënë Partisë Demokratike”- iu drejtuar kryeministri Berisha, banorëve të Koplikut. Berisha premtoi para qytetarëve se së bashku me ta dhe duke punuar ngushtësisht me qeveritarët vendorë do ta shndërrojnë Malësinë e Madhe, qytetin dhe komunat e saj në qytet dhe komuna moderne evropiane. “Kam ardhur sot këtu që të zotohem se në 4 vitet që vijnë së bashku me ju malësorët dhe malësoret e kësaj malësie, me qytetarët  e kësaj bashkie, të shndërrojmë Malësinë, qytetin, komunat e saj , në qytet evropian, në komuna evropiane.
Së bashku me qeveritarët tuaj vendor do të financojmë çdo projekt për infrastrukturën më modern në të katër anët  e rrethit tuaj. Këto 4 vite do të jenë vitet e Malësisë së Madhe, një ndër kantieret më të mëdha të vendit”- u shpreh Berisha. Kreu i qeverisë premtoi investime të mëdha në infrastrukturë, me qëllim përmirësimin e jetës së qytetarëve. “Këto 4 vite ne do të ndërtojmë dhe rindërtojmë në këtë treve qindra km rrugë, do të asfaltojmë çdo rrugë dhe rrugicë të fshatrave tuaja, të lagjeve tuaja. Këto 4 vite ne së bashku do ia dalim ti paraqesim Evropës dhe botës, shqiptarëve kudo që janë fytyrën e bukur të malësisë së Mirë, të malësisë së Madhe nga Vermoshi deri në Shkodër”- theksoi kryeministri. Punësimi mbetet një nga objektivat kryesore të platformës së projekteve dhe alternativave të “Aleancës për Qytetarin”. Në Koplik Berisha premtoi ndërtimin e parkut industrial, ndër më të mëdhenjtë në vend, ku do të punësohen mijëra qytetarë. “Jam këtu për tu zotuar para jush se këto 4 vite do të nisë puna për parkun industrial ndër më të mëdhenjtë të vendit, ku do të punësohen jo vetëm mijëra vajza dhe djem të Malësisë së Madhe, por edhe nga vende të tjera të Shqipërisë.
Ju jap fjalën e nderit se në 4 vitet që vijnë investimet për këtë zonë do të gjashtëfishohen. Do të ndërtojmë dhe rindërtojmë të gjitha shkollat, do të ndërtojmë dhe rindërtojmë ujësjellës, kanalizime, vaditje, do të shpalosim Malësinë turistike, do të shpalosim bukurinë mahnitëse, të Kelmendit, Vermoshit dhe të gjithë zonave tuaja. Kjo alternativë, kjo përpjekje është përpjekje që bazohet në punë në djersë, në punë në përkushtim, në dashuri, në respekt, në dinjitet,por kjo përpjekje ka bërë që ne sot, ish njerëzit më të shtypur në Evropë të jemi njerëz të sukseseve të mëdha, të mblidhemi në këtë shesh si qytetarë të një vendi anëtar të NATO-s, të mblidhemi në këtë shesh si qytetarë që lëvizin të lirë në mbarë Evropën, të mblidhemi në këtë shesh si qytetarë të një vendi  që sot është shpallur si destinacionin kryesor turistik i Evropës dhe botës. Të mblidhemi në këtë shesh si qytetarë të një vendi, ekonomia e të cilit kryeson për tre vjet rresht, rritjen ekonomike në Evropë. Të mblidhemi në këtë shesh si qytetarë të një vendi që ka dyfishuar pensionet  e ulëta, që ka dyfishuar rrogat e ulëta, që ka dyfishuar rrogat  e mesme. Ne nuk jemi ata që qajnë e vajtojnë, nuk jemi ata që shajnë e akuzojnë, por jemi ata që punojnë, bëjnë çdo gjë për të ndryshuar jetën tonë”- iu drejtua qytetarëve kryeministri Sali Berisha. Por, do të sillte në vëmendje kryeministri Berisha, krahas alternativës së punës dhe përkushtimit për qytetin dhe qytetarin, ekziston edhe alternativa e “rrugës së vetme”. Zanafilla e kësaj “rruge”, tha kryeministri, vjen nga labirintet e historisë, e shkuara e largët që iu mohoi shqiptarëve zotin, pronën dhe lirinë. “Krahas kësaj rruge, ka dalë nga labirintet  e historisë dhe “rruga e vetme”. Rruga  e vetme ishte ajo rrugë që ju ndaloi shqiptarëve zotin, që ju ndaloi shqiptarëve pronën, që ju ndaloi shqiptarëve lirinë. Sigurisht ajo rrugë nuk kthehet më kurrë. Rruga e vetme e etërve të dikurshëm nuk kthehet më kurrë, kurse rruga e vetme e bijve të tyre është sot rruga e bllokimit të çdo gjeje që është në interesin tuaj. Dua t’i them zotit Edi Rama se që kur erdhe në krye të PS ke bërë çdo gjë për të bllokuar çdo reformë, çdo masë, çdo ligj çdo vendim që është interes  jetik qytetarëve shqiptarë. Të paharruara do të mbeten për mua etiketimet kriminale për rritjen e rrogave dhe pensioneve. Jo zotëri, rritja e rrogave dhe pensioneve është akti me njerëzor, më social, më human dhe ne do të vazhdojmë ti rrisim ato çdo vit. Votuat kundër pajisjes së shqiptarëve me kartat, letërnjoftimet elektronike  dhe pasaportat biometrike, pajisje kjo, si një kusht vendimtar për lëvizjen e lirë. Qarkuat Shqipërinë në vallen e kutive, njësoj si etërit tuaj dikur në vallen e Enverit. Shqiptarët sot lëvizin të lirë në mbarë Evropën”- deklaroi më tej kryeministri Sali Berisha. Në këtë takim ka marrë pjesë edhe kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli. Ajo tha në fjalën e saj se “në vijmë në 8 Maj me bilanc të jashtëzakonshëm”. “Nëse dikush ka merita që sot jemi pa viza, padyshim që ai është Kryeministri Sali Berisha”. Duke iu referuar kandidatit për kryetar Bashkie të Koplikut Topalli tha se njerëzit kanë nevojë për menaxher të mirë si Ramadan Lika. Ajo tha se në kemi një parim të thjeshtë që është “vetëm për qytetarët”.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›