Lulzim Basha paraqet strategjinë e uljes së çmimeve për kryeqytetasit
Kandidati fitues i Aleancës për Qytetarin detajon projektin për uljen e çmimeve dhe krijimin e vendeve të reja të punës, gjatë administrimit të ri të bashkisë së Tiranës në takimet e njësive 1 dhe 3, ku përshkruan edhe megaprojektin e sistemit të Lumit të kryeqytetit
Ndonëse paguajnë taksa të larta, qytetarët dhe bizneset e Tiranës nuk marrin shërbimin e merituar. Për këtë arsye, ata janë të detyruar të paguajnë sërish. Këtë pagesë të dyfishtë, bizneset e nxjerrin tek qytetarët konsumatorë përmes rritjes së çmimeve. Në këtë rast, të penalizuarit janë banorët, të cilët detyrohen të nxjerrin 3 herë para nga xhepi, si pasojë e abuzimit nga ana e Bashkisë. Pikërisht, tek ky fakt, Lulzim Basha e bazon politikën e tij të uljes se çmimeve, duke ulur taksat dhe ofruar shërbimet që i takojnë Bashkisë. “Le ta fillojmë aty ku dhimbja është më e madhe, ta nisim duke i rikthyer qytetarëve të Tiranës çmime normale dhe një treg normal. Është e vërtetë, nuk janë 82 taksa dhe tarifa, janë plot 85 taksa dhe tarifa vendore. Këto taksa mblidhen, por shërbime nuk ofrohen, dhe për ato shërbime që nuk ofrohen, ju si qytetarë dhe akoma më shumë punëdhënësit e këtij qyteti, nxjerrin përsëri lekë nga xhepi për të kryer shërbime të cilat nuk kryhen me taksat tona. Ndaj unë, ju them sot se ulja e taksave, heqja e mbi 60 taksave dhe tarifave vendore, nuk është slogani im politik, por është zotimi im – dhe unë do ta bëj realitet brenda javës time të parë si Kryebashkiaku juaj i ardhshëm. Përveç taksave të ulëta, unë do të ngre brenda muajit maj, Agjencinë Bashkiake për Mbrojtjen e Konsumatorit. Kjo agjenci do ketë një dhe vetëm një detyrë: të identifikojë, hulumtojë, investigojë dhe të godasë me forcën e ligjit këdo që spekulon me çmimet e larta në tregjet e qytetit tonë. Punësimi i qytetarëve të Tiranës jo vetëm nuk do jetë diçka e huaj, e pakuptueshme, larg kompetencave të Bashkisë, por do të jetë detyra numër një e kryebashkiakut tuaj të ardhshëm. Taksat e ulëta do të bëjnë të mundur hapjen e 4 mijë vendeve të reja të punës në Tiranë, brenda 6 mujorit e parë. Të bashkuar siç jemi sot në një qëllim të vetëm, t’i përvishemi punës për Tiranën dhe qytetarët e Tiranës”, u shpreh Lulzim Basha. Duke prezantuar kandidatin për kryetar të Njësisë Bashkiake Nr.3, Ilir Kokona, Basha bëri të ditur se përmes krijimit të garancisë për kreditimin e biznesit dhe nisjen e ndërtimit të Unazës së Madhe, do të hapen edhe 11800 vende të reja pune. Basha theksoi se një fond i veçantë do të ngrihet për të ndihmuar çiftet e reja të marrin kredi me kushte lehtësuese për strehimin, sikundër brenda katër vitesh do të ndërtohen 1000 apartamente për të pastrehët. Basha premtoi përmirësim rrënjësor të rrjetit të ujësjellës-kanalizimeve. Kandidati për kryebashkiak tha se puna për Tiranën europiane do të nisë me ndërtimin e lagjeve të saj.
Ilir Kokona: Vota për “Aleancën për Qytetarin”, zgjidhja e problemeve tuaja/Kandidati i “Aleancës për Qytetarin”, Ilir Kokona për Njësinë Bashkiake nr. 3, prezantoi platformën e tij, duke ftuar të gjithë qytetarët e kësaj njësie se për zgjidhja më e mirë për zgjidhjen e problemeve të tyre është vota për kandidatin e “Aleancës për Qytetarin”. Kokona theksoi se, gjatë mandatit të ardhshëm do t’u jepet zgjidhja një sërë problemesh siç është ndotja e mjedisit, hapësirat e gjelbra apo këndet sportive për të rinjtë. Ndërsa duke votuar për Lulzim Bashën, Kokona theksoi se, kryebashkiaku i ri i Tiranës do t’i kthejë zonat informale në zona urbane me infrastrukturë bashkëkohore. “Ftoj banorët e zonës ‘Sadik Petrela’ të votoni Lulzim Bashën, i cili do ta kthejë zonën informale në një zonë urbane me infrastrukturë bashkëkohore. Banesat tuaja do të emërtohen me ndërtime pa leje, por do të keni dokument pronësie dhe kështu shtëpitë tuaja nuk do të jenë më të paligjshme. Me votën tuaj, do t’i jepni fund problemit të ndotjes së mjedisit nga kanali i hapur që kalon mes përmes shtëpive tuaja nuk do të jenë më të paligjshme”, theksoi Kokona gjatë fjalës së tij. Gjithashtu, kandidati i “Aleancës për Qytetarin” për Njësinë Bashkiake nr. 3, vuri në dukje se një rëndësi e veçantë me fitoren e 8 majit, do t’i jepet krijimit të një biblioteke për të rinjtë, e cila i ka munguar prej kohësh një e tillë. Ndërsa një vëmendje tejet e veçantë, Kokona theksoi se, do t’i jepet dhe angazhimit për ndërtimin e tregjeve bashkëkohore në zonën tonë. “Tregjet ekzistuese kanë funksionuar pa kushte dhe jashtë standardeve. Dua të siguroj edhe të gjitha bizneset që vota juaj për ne do të jetë një votë për përgjysmimin e taksave dhe krijimin e një klime të favorshme për zhvillimin e biznesit tuaj”- deklaroi Kokona.