Brenda 4 viteve, kombinati i Poliçanit do shndërrohet në një gjenerator të rëndësishëm punësimi
Berisha prezanton kandidatët e “Aleancës për Qytetarin” në bashkitë e Kuçovës, Poliçanit dhe Urës Vajgurore
Partia Demokratike dhe koalicioni “Aleanca për Qytetarin” po vijojnë në të gjithë Shqipërinë prezantimin e kandidatëve për zgjedhjet vendore të 8 majit. Ditën e djeshme kryeministri Sali Berisha nisi turin e takimeve me elektoratin, në jug të vendit, për të përfunduar më pas në veri, më konkretisht në Malësinë e Madhe. Dje paradite, kryeministri Berisha u ndal fillimisht në Poliçan, ku mbështeti para qytetarëve kandidaturën e z. Çaush Qato, si kryetar bashkie i këtij qyteti, përfaqësues i koalicionit “Aleanca për qytetarin”. Berisha premtoi për qytetarët, se qeveria do të bëjë gjithçka për të shndërruar kombinatin e Poliçanit në një qendër të fuqishme të punësimit të banorëve të kësaj bashkie. “Për qeverinë shqiptare në këtë fushatë në epiqendër janë qytetari, interesat, vizioni, mundi, djersa përkushtimi i tij, ndaj dhe jam sot këtu për tu zotuar se qeveria do të bëjë gjithçka për të shndërruar kombinatin e Poliçanit, në një qendër të fuqishme të punësimit të banorëve të Poliçanit, të banorëve të kësaj bashkie. Ky proces ka nisur me sukses të plotë. Sot janë rreth 460 punonjës që punojnë në këtë kombinat, nga vetëm 130 që ishin 6 muaj më parë. Ju garantoj se ky numër do të trefishohet në një kohë të shkurtër. Ky është projekti i Çaush Qatos për kombinatin e Poliçanit. Këtë projekt qeveria shqiptare e mbështet me të gjitha mjetet”- u shpreh kreu i qeverisë. Berisha tha se gjatë këtyre viteve në qarkun e Beratit Qeveria ka investuar në ndërtimin e 430 km rrugë, duke u zotuar se në 4 vitet që vijnë në bashkinë e Poliçanit do të ndërtohet dhe rindërtohet çdo rrugë e rrugicë e saj. “Gjatë këtyre viteve, në qarkun e Beratit ne kemi investuar, kemi ndërtuar 430 km rrugë, janë këtu për zotuar para muajsh që 4 vitet që vijnë, në bashkinë e Poliçanit, do të investojmë, do të ndërtojmë, do të rindërtojmë çdo rrugë e rrugicë të kësaj bashkie. Kemi ndërtuar në Berat 45 shkolla. Jam këtu për tu garantuar ju se në 4 vitet që vijnë, në qarkun e Beratit dhe në Poliçan do të ndërtojmë dhe rindërtojmë çdo shkollë, në parametrat më moderne. Kemi ndërtuar një seri ujësjellësash, kanalizimesh, qendrash shëndetësore. Zotimi ynë solemn është në 4 vitet që vijnë, 24 orë ujë për të gjithë banorët e qarkut të Beratit. Berati qëndron në krye të përfitimit të subvencioneve të qeverisë, për fermat dhe fermerët. Janë subvencionuar 2000 ha blloqe të reja pemëtarie, kanë përfituar 5900 fermerë. Zotohem para jush se 4 vitet që vijnë do të subvencionohen 10 mijë ha dhe do të përfitojnë mbi 10 mijë fermerë. Vetëm në vitin 2011 parashikojmë të përfitojnë 1800 fermerë në një sipërfaqe prej 700 ha”- u shpreh kryeministri Berisha. Shefi i ekzekutivit u shpreh gjithashtu para qytetarëve të Poliçanit se qeveria do rrisë pagat dhe pensionet. “Rritja e rrogave dhe pensioneve është dhe mbetet një nga objektiva më të rëndësishme të qeverisë shqiptare. Ne kemi qenë dhe jemi në një përpjekje të përbashkët për të ndryshuar çdo ditë, çdo muaj dhe çdo vit jetën tuaj. Kjo qeveri në një afat të shkurtër kohor, si asnjë qeveri tjetër në Evropë, në kulmin e krizës ekonomike, ia doli të dyfishojë të gjitha pensionet e ulëta, të dyfishojë rrogat e ulëta dhe rrogat e mesme”- tha Berisha, ndërsa më tej iu referua edhe progresit të Shqipërisë në rrugën e integrimit, ku veçoi si suksese të reformave anëtarësimin në NATO dhe liberalizimin e vizave. Ndërkaq, në vijim të takimeve në qarkun e Beratit, kryeministri Berisha është ndalur edhe në bashkinë Ura Vajgurore ku prezantoi dhe shprehu mbështetje për kandidatin e koalicionit “Aleanca për qytetarin” në këtë bashki, z. Thoma Rumnici. Kryeministri Berisha i garantoi banorët se qeveria do të mbështesë çdo projekt të zotit Thoma Rumnici për shfrytëzimin e të gjitha potencialeve të mëdha industriale, turistike, bujqësore në Urën Vajgurore.
Në Kuçovë - Berisha: Do investojmë çdo projekt për ndërtimin e Shqipërisë Evropiane/Pas vizitës në Poliçan, kryeministri Sali Berisha iu drejtua Kuçovës ku prezantoi kandidatin e “Aleancës për Qytetarin”, Selfo Kapllani. Në fjalimin e mbajtur para mijëra qytetarëve të pranishëm, Berisha tha se “alternativa jonë është alternativa e luftës me zero tolerancë ndaj varfërisë dhe njerimit, ndaj krimit dhe korrupsionit”. Kryeministri garantoi qytetarët se në 4 vitet e ardhshme, qeveria do të bëjë gjithçka që mandati i kandidatit të koalicionit “Aleanca për qytetarin”, z. Selfo Kapllani të jetë një sukses i vërtetë. “Jam sot këtu për tu zotuar se 4 vitet që vijnë qeveria do të financojë çdo projekt të zotit Selfo Kapllani për një Kuçovë moderne, për një Kuçove evropiane, për një Kuçovë të zhvilluar” - u shpreh kryeministri. Me premtimin për një infrastrukturë moderne, kryeministri tha se tashmë një seri projektesh të rëndësishme, të cilat do të mbi-përgjysmojnë distancën Kuçovë-Tiranë kanë nisur të zbatohen. Kryeministri renditi segmentin Belsh-Kuçovë, të boshtit të Jugut, si dhe fillimin së shpejti të autostradës Tiranë - Elbasan, me gjatësi 32 kilometra dhe 4 korsi. Kryeministri tha se 4 vitet që shkuan janë investuar mbi 700 milion lekë për ujësjellësin e Kuçovës dhe të Beratit, duke garantuar se 4 vitet që vijnë qeveria do të bëjë gjithçka për të garantuar ujë 24 orë, për Kuçovën dhe mbarë fshatrat e komunave të saj.