E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ura e Mesit, një vlerë e rrallë në guidën e agjencive turistike

29/04/2011  Ka përfituar një sërë investimesh, pritet që sivjet të vizitohet nga shumë turistë

SHKODER- Monumenti kulturor “Ura e Mesit”, në Shkodër, pritet që këtë sezon veror të tërheqë një numër të madh vizitorësh. Ky fakt bëhet i ditur nga drejtuesit e agjencive turistike që operojnë në Shkodër, të cilët bazohen në disa element që do të mundësojnë tërheqjen e vizitorëve të shumtë si nga brenda, ashtu dhe jashtë vendit. Përveç punës që po bëjnë këto agjenci turistike për shpalosjen e vlerave të veçanta të kësaj ure, një element i rëndësishëm që do të tërheqë vizitorët është rikonstruksioni që iu bë kësaj vepre në fillim të verës së kaluar.

Pritshmëria

Ura e Mesit përfitoi vitin e kaluar një projekt prej 13 milionë lekësh të reja nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, që solli një sërë përmirësimesh të rëndësishme si në pjesët e dëmtuara të urës, ashtu dhe në territorin përreth saj. Kështu, vlera që ka kjo urë për shkak të periudhës së hershme të ndërtimit dhe formës ndërtimore, iu shtuan investimet e vitit të kaluar që bënë të mundur ndërtimin e një shëtitoreje pedonale dhe të një parku anësor me stola, duke krijuar një ambient më atraktiv. Rrugës këmbësore turistike tek Ura e Mesit u ndërtua me parametra bashkëkohorë, me ndriçim, me shkallë dhe gjelbërim. Vlerat e kësaj ure janë shtuar edhe me mbajtjen pastër të territorit pranë saj, që vite më parë ishte i mbuluar nga mbeturinat, duke larguar mjaft prej vizitorëve që shkonin për të parë nga afër vlerat dhe bukuritë e kësaj ure. Për drejtuesit e agjencive turistike, por edhe për drejtuesit e komunës së Postrribës, gjithë puna dhe investimet e bëra rreth një vit më parë pritet të japin frytet e veta këtë vit dhe në vijim. Shenjat e para të këtyre ditëve kanë qenë pozitive, pasi kanë filluar të vijnë autobusët e parë me turistë, të cilët kanë mbetur të kënaqur me panoramën e afruar, si nga mrekullia e ndërtimit të lashtë të Urës së Mesit, ashtu dhe nga ambienti përreth saj.

Ura e Mesit

Ura e Mesit në Shkodër është një monument kulture ndër më të vjetrit në vend dhe në llojin e saj. Ura e Mesit, e ndodhur rreth 7 km larg qytetit të Shkodrës reklamohet nga agjencitë turistike të Shkodrës si një nga monumentet e kulturës me vlera të mëdha dhe si simbol i qytetërimit të lashtë të zonës veriore të vendit. Ura e Mesit u ndërtua në vitin 1768 nga Mehmet Pashë Bushatlija, mbi ujërat e lumit Kir, me qëllim që të lidhte disa krahina të rëndësishme të asaj kohe me qytetin e Shkodrës. Ura e Mesit, një monument i vlerësuar nga ana arkitektonike dhe teknike, shtrihet në një gjatësi prej 108 metrash dhe gjerësi prej 3.4 metrash. Në një distancë prej disa dhjetëra metrash të bien në sy 13 harqet jo simetrike, si tregues i punës voluminoze të bërë për ngritjen e saj. Për ndërtimin e kësaj ure janë përdorur gurë të latuar, ndërsa traseja është bërë me pllaka guri, ku çdo një metër ngrihen 5 centimetra rreshta tërthorë, duke i dhënë kurrizit trajtën e shkallares. Vlerat e Urës së Mesit shtohen dhe nga vendi i ndërtimit të saj, pasi panorama pranë saj është tepër piktoreske. Të gjitha këto kanë bërë që Ura e Mesit të jetë ndër monumentet e kulturës më të njohura e më të vizitueshme në Shkodër. Vlen të theksohet se Ura e Mesit dhe kalaja “Rozafa” janë monumentet e kulturës më simbolike të Shkodrës, të pranishme në telajot e piktorëve, studio fotografike, në punime artistike në bakër, dru, pëlhurë, në kartolina e katalogë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›