Komuna Mollas, PS kandidon kryetarin e PD
Çudia ka ndodhur në komunën Mollas të Elbasanit, ku kryetari aktual i komunës, i hequr nga lista e rikandidimeve nga PD, do të kandidojë nën siglën e PS. Agron Sado do të rikandidojë këtë herë nga koalicioni i majtë, përballë Agron Hysës i PD, biznesmen administrator i një firme ndërtimi. Sado ka deklaruar se banorët do ta votojnë, pasi gjatë 4 viteve i shërbeu me devotshmëri komunitetit. E djathta e ka fshirë nga lista kandidatin, pasi, sipas saj, ai pati probleme me arsimin dhe procese gjyqësore. Po kështu, PS duket se ka qëndruar më shumë vigjilente, përsa i përket kandidaturave në disa komuna e bashki, duke lenë deri në çastet e fundit dy alternativa. Ajo çfarë bie në sy është fakti se në dy njësi vendore PD dhe PS kanë zgjedhur dy kandidatë të rinj, përballë dy kryetarëve aktualë dhe me eksperiencë. Kështu, në komunën Shirgjan PD ka zgjedhur Besnik Kryemadhin, një biznesmen i ri dhe në komunën Tregan kandidon Behar Tashi me profesion mësues. Ndërkohë, vetëm në komunën Gjergjan është përcaktuar një grua si kandidate, ndërsa në Gjinar ende është në diskutim një tjetër F.S.