Basha: Beogradi të ndalë financimet për struktura paralele
Tirana zyrtare i kërkon Beogradit të ndërpresë menjëherë çdo lloj mbështetje financiare për strukturat paralele në Kosovë. Sipas ministrit tonë të Jashtëm, Lulzim Basha, strukturat paralele dëmtojnë stabilitetin e vendit fqinj, duke ngadalësuar procesin e pashmangshëm të integrimit të serbëve në shoqërinë kosovare dhe institucionet kosovare. Kundrejt kësaj, ministri Basha konsideron se sfidat e dy kombeve shqiptare në Ballkan, Kosovës dhe të Shqipërisë, janë të përbashkëta. Kryediplomati shprehet optimist për ecurinë e procesit të njohjes së pavarësisë, qoftë nga vendet e Konferencës Islamike, si dhe në një të ardhme jo të largët edhe nga vendet e Ballkanit. Ministri paralajmëroi se tashmë është përgatitur terreni dhe në muajt në vazhdim do të ketë njohje të reja. “Kemi të bëjmë me një bllok vendesh, që ka një tjetër përqasje, krejtësisht të ndryshme nga grupi euroatlantik. Në muajt në vazhdim do të kemi një numër njohjesh të tjera; kemi parasysh një numër vendesh nga gjiri i organizatës së vendeve islamike”, - theksoi z. Basha. Në përvjetorin e parë të pavarësisë, Basha garantoi dje Kosovën për ndihmë dhe mbështetje të vazhdueshme në ndërtimin e shtetit të saj demokratik. Sipas ministrit tonë të Jashtëm, sfidat e shtetit kosovar janë edhe sfidat e Shqipërisë. Kryediplomati Lulzim Basha vlerësoi arritjet e shtetit kosovar përgjatë një viti, duke filluar nga procesi i njohjes së pavarësisë e deri tek vendosja e misionit EULEX. Shefi i diplomacisë shqiptare, Basha, iu ka dhënë përgjigje edhe dilemave që më së shumti nxiten nga Beogradi, duke theksuar se nuk mund të ketë kthim prapa në rrugën e konsolidimit të shtetit të Kosovës, ashtu siç janë të patolerueshme strukturat paralele atje. “Ne mbështesim vendimin që do të marrë Prishtina për sa u përket bisedimeve me Beogradin, por ky i fundit duhet të njohë Kosovën e pavarur dhe të ndalojë menjëherë financimin e strukturave paralele. Nëse Beogradi dëshiron me të vërtetë të sjellë një përparim të dukshëm nga situata stanjative ku ndodhemi, tani së pari duhet të ndërpresë menjëherë çdo lloj mbështetjeje financiare apo tjetër për strukturat paralele në Kosovë. Strukturat paralele dëmtojnë stabilitetin e vendit fqinj, duke ngadalësuar procesin e pashmangshëm të integrimit të serbëve në shoqërinë kosovare dhe institucionet kosovare”, - tha Basha. Në këtë përvjetor të parë të shtetit të pavarur të Kosovës, Basha ka garantuar se bashkëpunimi mes dy shteteve tona do të jetë i gjithanshëm, duke filluar nga procesi i njohjes së Kosovës deri tek bashkëpunimi ekonomik. Po dje, me rastin e përvjetorit të parë të pavarësisë së Republikës së Kosovës, ministri i Punëve të Jashtme, z. Lulzim Basha, i ka dërguar një mesazh urimi ministrit të Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, z. Skënder Hyseni. “Në këtë ditë feste e gëzimi të përbashkët për të gjithë shqiptarët dhe miqtë e tyre, më lejoni t’ju siguroj edhe një herë se Ministria e Punëve të Jashtme dhe unë personalisht do të jemi pranë jush, për të përballuar së bashku të gjitha sfidat, për thellimin e bashkëpunimit të gjithanshëm midis dy vendeve tona, në të mirë të paqes e sigurisë në rajon dhe për përmbushjen e vizionit tonë të përbashkët për integrim në strukturat evropiane dhe euroatlantike”, - thuhet ndër të tjera në letrën e ministrit Lulzim Basha. Ministri i Punëve të Jashtme, i përcolli homologut kosovar përshëndetjet vëllazërore, si dhe urimet më të ngrohta e më të përzemërta, për mirëqenien, përparimin dhe begatinë e Republikës së Kosovës, qytetarëve dhe institucioneve të saj.