Roshi: Ligji i dosjeve shëron plagët e shoqërisë
PBKD konsideron se ligji i lustracionit do të largonte një pjesë të së keqes nga trupi i Shqipërisë dhe do të shëronte plagët e shoqërisë shqiptare. Kryetari ballist, Artur Roshi, deklaroi se “autorët e krimeve gjatë periudhës së regjimit komunist duhet jo vetëm që të largohen nga funksionet shtetërore, por edhe të dalin përpara drejtësisë”. Sipas tij, me largimin e ish-bashkëpunëtorëve të Sigurimit dhe ish-funksionarëve të regjimit komunist nga funksionet publike, nuk penalizohen individë të caktuar, por institucionet çlirohen nga mendësia komuniste. Sipas tij, papajtueshmëria e ligjit për lustracionin me Kushtetutën është qesharake. “Nëse biem të gjithë dakord se krimet e komunizmit duhen dënuar, por ligji që do të bëjmë bie ndesh me Kushtetutën, atëherë korrigjimi nuk duhet kërkuar te ligji, por te Kushtetuta”, - tha kryetari i PBKD-së.