Raporti: 22 fëmijë, viktima të trafikut gjatë vitit 2009
Mbi 20 fëmijë kanë rënë pre e trafikut gjatë vitit 2009, ndër të cilët 17 janë femra dhe 5 meshkuj. Shifrat janë publikuar nga zëvendësministrja e Brendshme, Iva Zajmi, në konferencën me temë “Plotësimi i Standardeve Ndërkombëtare dhe Sfidat e Shqipërisë në Luftën Kundër Trafikimit të Qenieve Njerëzore”. Në këtë konferencë, Zajmi ka bërë një raport përmbledhës për gjithë situatën e trafikimit në vend, duke deklaruar se Shqipëria është vend origjine për trafikimin e njerëzve. Më tej, ajo shpjegoi se rastet e identifikuara gjatë vitit 2009 lidhen me veprimtari dhe fakte të ndodhura jashtë Shqipërisë, në vendet e destinacionit si Greqi, Itali, Francë, Britani e Madhe dhe Kosovë. Ndërsa si vende transit janë përdorur kryesisht Greqia, Italia dhe Mali i Zi. Nga Mali i Zi kalohet në Kroaci, Slloveni dhe destinacioni i fundit janë vendet e BE-së.
Në lidhje me situatën e trafikimit në vend, viktimat janë në të shumtën e rasteve gra dhe fëmijë, që përgjithësisht vijnë nga familje me nivel të ulët ekonomik dhe social, ku mungon informacioni mbi rreziqet e shfrytëzimit. Më tej, zëvendësministrja ka deklaruar se gjatë vitit 2009 janë shënuar gjithsej 94 viktima trafikimi, të cilat janë identifikuar, referuar dhe asistuar. Ndër këto, 22 janë fëmijë, ku shënohen 17 femra dhe 5 meshkuj, si dhe 72 të rritur. Zajmi nuk ka lënë pa përmendur edhe metodat e rekrutimit, sidomos për fëmijët dhe gratë. Ajo ka deklaruar se në të shumtën e rasteve janë tre mënyra, duke filluar nga premtimet false për martesë, punësim, ose studim, por edhe rrëmbim dhe shitje nga familja apo të afërmit. Trafikantët në përgjithësi janë persona që kanë kryer dhe më parë këtë aktivitet ose bashkëpunojnë me persona që janë të përfshirë në trafikim. Veprat kryhen vetëm ose në bashkëpunim në grupe prej 2 apo 3 personash. “Mbi 50 agjenci shtetërore, joshtetërore, organizata kombëtare dhe ndërkombëtare, koalicione dhe struktura të veçanta janë të angazhuara drejtpërdrejt me luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore”, shtoi Iva Zajmi në lidhje me nxjerrjen e këtyre statistikave.
Gjatë konferencës, zëvendësministrja e Brendshme nuk ka lënë pa përmendur edhe çështjet e hetuara nga Policia e Shtetit, ku sipas saj janë 14 raste me 17 autorë. “Në lidhje me këtë, 4 çështje janë të lidhura me trafikimin e të miturve, 8 çështje të lidhura me trafikimin e femrave dhe 2 çështje të lidhura me trafikimin e personave”, deklaroi Zajmi. Ndërsa për goditjet e policisë, zëvendësministrja vuri në dukje se janë organizuar 3 operacione kundër trafikimit të grave dhe 8 operacione kundër shfrytëzimit për prostitucion, prostitucion dhe përdorim ambientesh për qëllimi prostitucioni, ku janë 29 të ndaluar. Policia ka organizuar operacione edhe kundër lypjes në Qarkun e Tiranës, e cila që nga dhjetori i vitit 2009 po zbaton një Plan Operacional kundër lypjes dhe shfrytëzuesve të fëmijëve. Për vitin 2009, Prokuroria e Krimeve të Rënda regjistroi 24 çështje, ndërkohë që Gjykata e Krimeve të Rënda gjykoi 18 çështje me 11 të dënuar. Sa i përket mbrojtjes dhe asistencës për viktimat e trafikut, Zajmi vuri në dukje se për këtë vit ka pasur rritje të financimit të Qendrës Kombëtare Pritëse me 24 për qind. Në këtë qendër janë punësuar 82 veta dhe janë integruar 39 viktima të trajnuara profesionalisht. Njësitë e mbrojtjes së fëmijëve janë ngritur në 12 bashki dhe 3 komuna. Në 26 qendrat ditore në Tiranë, Korçë, Elbasan dhe Berat janë trajtuar 1493 fëmijë dhe 99 janë trajtuar në qendrat publike.
#