Basha: Do të përmbushim detyrimet që kërkon NATO-ja
Ministri i Punëve të Jashtme, Lulzim Basha, priti ditën e djeshme në zyrën e tij Jason Hyland, drejtor i Zyrës për Evropën Jugore dhe Qendrore në Departamentin Amerikan të Shtetit, ku të dyja personalitetet theksuan rritjen e marrëdhënieve mes dy vendeve. Ministri Basha informoi diplomatin amerikan se Shqipëria do të përmbushë të gjitha detyrimet që i kërkohen asaj në mënyrë që të fitojë anëtarësimin e plotë në vitin 2009. Nga ana tjetër, Basha e uroi Hyland-in për detyrën e re dhe e siguroi atë për mbështetjen dhe bashkëpunim e tij të plotë. Ministri Basha vlerësoi ndihmën që SHBA-ja i ka dhënë dhe vazhdon t’i japë Shqipërisë, si në planin e bashkëpunimit dypalësh, ashtu edhe në drejtim të procesit të integrimit në strukturat euroatlantike. Njëkohësisht, Lulzim Basha falënderoi Hyland-in për mbështetjen e fuqishme që SHBA-ja dhe Presidenti Bush kanë dhënë dhe japin për procesin e anëtarësimit të plotë të Shqipërisë në NATO dhe e garantoi atë për përkushtimin e plotë të qeverisë dhe institucioneve shqiptare për realizimin e të gjitha standardeve që priten nga një vend anëtar i NATO-s. Zhvillimet në rajon, dhe në veçanti në Kosovë, u trajtuan gjerësisht gjatë takimit. Ministri Basha nënvizoi se Shqipëria është e vendosur në rolin e saj si një faktor paqeje dhe stabiliteti, si dhe në politikën e saj rajonale të fqinjësisë së mirë, si dhe theksoi rëndësinë që perspektiva evropiane dhe euroatlantike ka për stabilitetin e rajonit.