E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuvendi: Do të rrisim kapacitetet njerëzore

Kuvendi i Shqipërisë, i drejtuar nga Jozefina Topalli, ka bërë të ditur se gjatë kësaj periudhe po bëhet një punë për rritjen e kapaciteteve njerëzore dhe të cilësisë së punës së stafit të Kuvendit të Shqipërisë drejt standardeve evropiane. Zyra e shtypit ka theksuar se në bashkëpunim me institucione të tjera, do të bëhet e mundur rritja e mëtejshme e kapaciteteve intelektuale në këtë institucion të rëndësishëm. Një staf i përgatitur dhe i kualifikuar është konsideruar shumë i rëndësishëm në krijimin e një institucioni më efektiv e më profesionist në përmbushjen e rolit të tij kushtetues në interes të qytetarëve. Kështu, gjatë kësaj periudhe janë bërë tashmë pjesë e stafit të Kuvendit më shumë 15 nëpunës civilë të cilët kanë kryer studimet e tyre edhe në fakultete të mirënjohura të Evropës, Shteteve të Bashkuara apo kanë kualifikime pasuniversitare në fushat përkatëse. Kontributi i tyre ka ndikuar në rritjen e cilësisë së ekspertizës së ofruar për deputetët dhe rrjedhimisht në përmirësimin e efektshmërisë së punës së Kuvendit. “Po në kuadër të bashkëpunimit me projektin e OSBE-së, vlen të përmendet edhe mbështetja e dhënë për stafin dhe anëtarët e Komisionit të Integrimit Evropian. Janë organizuar disa trajnime rajonale ku stafi i Komisionit të Integrimit së bashku me kolegë të vendeve të rajonit kanë shkëmbyer eksperienca dhe janë trajnuar për çështje që kanë të bëjnë me veprimtarinë e Komisionit. Kontribut të veçantë në rritjen e kapaciteteve njerëzore ka dhënë edhe bashkëpunimi me institutin italian IPALMO dhe Dhomën e Deputetëve të Parlamentit italian. Edhe bashkëpunimi me Parlamentin turk në kuadër të projektit “TIKA” ka dhënë një ndihmesë konkrete për stafin e Kuvendit”, - thuhet në njoftimin e Kuvendit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›