Hapja e dosjeve, OSBE: Mund të ndërhyjmë në rast se na e kërkojnë
Prezenca e OSBE-së do të qëndrojë larg nga debati në lidhje me miratimin e ligjit për pastërtinë e figurave ose siç njihet, hapja e dosjeve të komunizmit. Në një reagim zyrtar për gazetën, OSBE-ja shprehet se mund të ndërhyjë në këtë rast, vetëm në qoftë se ligjvënësit shqiptarë kërkojnë ndihmë. Sipas prezencës së OSBE-së, e rëndësishme në këtë proces është miratimi me konsensus i ligjit si dhe realizimi i debateve të gjalla në mënyrë që kjo çështje të mbyllet njëherë e mirë dhe mos të rikthehet në të ardhmen. “Prezenca e OSBE-së mbetet e gatshme të ndihmojë autoritetet shqiptare në këtë çështje, në përputhje me mandatin e saj”, - shprehen burimet zyrtare pranë OSBE-së, duke theksuar se qëndrimi i saj në lidhje me këtë çështje nuk do të jetë direkt, por do të kontribuojë me ekspertët e saj më të mirë, në rast se një gjë e tillë rekomandohet nga pala shqiptare. Tashmë, hartimi i një ligji të tillë ka mbetur pezull për shkak të mbylljes së sesionit parlamentar, por do të rifillojë në mesin e muajit shtator, kur të fillojë punimet Kuvendi. OSBE-ja do të monitorojë debatin si dhe rezultatin që do të konkretizohet në miratimin e një ligji të tillë specifik, por ka për të reaguar në rast se prezenca e OSBE-së në Shqipëri vëren se diçka nuk shkon mirë. Në rast të kundërt, theksojnë burimet nga OSBE-ja, miratimi i një ligji të nxituar do të ishte në dëm të zhvillimit të Shqipërisë.
Reagimi
Qëndrimi i OSBE-së mbetet parimor dhe kjo është shprehur edhe në një qëndrim publik mbajtur në muajin korrik, në mesin e debatit për miratimin e një ligji kaq delikat në Shqipëri. Prezenca e OSBE-së theksoi idenë e kohës së mjaftueshme për të miratuar një ligj të tillë si dhe debateve me të gjitha grupet e interesit. “Prezenca e OSBE-së dëshiron të përsërisë edhe një herë qëndrimin e saj se i gjithë legjislacioni me rëndësi të veçantë për publikun, veçanërisht kur ka të ngjarë që të krijojë kundërshti, duhet të miratohet në mënyrë të atillë që të lejojë kohë të mjaftueshme për konsultim me ekspertë, grupe të interesit dhe publikun e gjerë. Veç kësaj, duhet të lihet hapësirë kohore për debate të gjalla në Kuvend”, - do të deklaronte ambasadori Robert Bosch. Një qëndrim i tillë i OSBE-së vjen në një moment kur vendi po debaton në lidhje me mandatin dhe rolin e OSBE-së në Shqipëri. Për disa qëndron ideja se roli i OSBE-së në Shqipëri nuk është më i nevojshëm si dhe duhet ripërcaktuar mandati i saj. Gjithsesi, Ministria e Jashtme ka bërë zyrtar edhe qëndrimin e saj duke thënë se do të ketë një ridimensionim të rolit të OSBE-së në vendin tonë. “Ministria e Punëve të Jashtme ka kërkuar përqendrimin e rolit të OSBE-së në lidhje me sigurimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme dhe reformën zgjedhore. Ministria e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, prej më shumë se 3 vitesh, është angazhuar në një dialog të hapur me OSBE-në, të trashëguar nga qeverisja e mëparshme, në qendër të të cilit është përshtatja e rolit të OSBE-së në përputhje me realitetet e reja në vend. Ministria e Punëve të Jashtme i përmbahet qëndrimit se zgjedhjet e lira dhe të ndershme dhe reforma zgjedhore janë dhe mbeten fushat më parësore të bashkëpunimit me OSBE-në, ku ndihma dhe bashkëpunimi i vazhdueshëm i OSBE-së është dhe mbetet i pazëvendësueshëm”, - tha bërë të ditur Ministra e Jashtme.