Mëhilli: Rama të dorëzojë planin dhe të përshëndesë NATO-n
Partia Demokratike reagoi dje pas akuzave nga zëdhënësja e PS-së, Mimi Kodheli. Zëdhënësja e PD-së, Erla Mëhilli, deklaroi se Kodheli bëri akuza të shfrenuara në një ditë të veçantë për shqiptarët, si anëtarësimi në NATO për të mbrojtur faktet rrënuese të Edi Ramës. Mëhilli tha se Rama duhet të dorëzojë planin rregullues të kryeqytetit, njëkohësisht të përshëndesë anëtarësimin e vendit në NATO. “Kështu, thirrjeve të kryetares së Parlamentit, njëherësh dhe nënkryetares së Partisë Demokratike, znj. Jozefina Topalli, drejtuar z. Rama për të përshëndetur anëtarësimin e vendit tonë në NATO, i cili është i vetmi shqiptar në jetën publike që nuk e ka përshëndetur deri më sot apo thirrjeve të drejtuara z. Rama për të mos mbajtur si plaçkë personale apo si kopshtin e vjehrrës së tij në Pezë, planin urbanistik të kryeqytetit, znj. Mimi iu përgjigj me sulme të një frazeologjie mjerane e të pashpresë”, - deklaroi Mëhilli. Sipas saj: “Rama nuk gjen kurajo e zemër për të përshëndetur anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, por mbledh Eftimët e tij për të ndarë 30 leje ndërtimi mbi parimet e politikës së ryshfetit”.