E Diel, 1 Nëntor 2026

Titujt e pronësisë, shtyhet me 6 muaj afati i ligjit



Këshilli i Ministrave miratoi dje një ndryshim në ligjin për verifikimin e titujve të pronësisë të dhënë me ligjin 7501. Vendimi i djeshëm e zgjat me 6 muaj këtë afat, i cili ishte 3 vjet. Kështu, komisionet vendore të verifikimit do të kenë 3 vjet e gjysmë kohë për të hetuar abuzimet me tokën bujqësore. Tashmë ky proces ka nisur, madje janë drejt dhënies së vendimeve mijëra dosje. Ligji parashikon rishqyrtimin nga e para të të gjithë titujve të pronësisë të dhënë që nga viti 1991 edhe sipas ligjit 7501. Ai përfshin të gjitha sipërfaqet e tokave bujqësore, të administruara nga ish-ndërmarrjet bujqësore dhe institucionet e tjera shtetërore e që më pas janë ndarë nga Ministria e Bujqësisë në fshatra deri në datën 30.4.1998. Në bazë të tij, titujt e lëshuar që nga 1.8.1991, por që nuk figurojnë në Hipotekë si tokë bujqësore, do të anulohen, pasi ato llogariten si pyje, livadhe, kullota, tokë pyjore etj. Në shumë raste, këto prona kanë qenë rreth zonave urbane e në bregdet dhe ato tashmë janë kthyer në troje për ndërtim, ku janë ngritur objekte. Në këto raste do të penalizohet vetëm ai që e ka përfituar titullin e pronësisë në mënyrë të padrejtë. Nëse ka kryer transaksion dhe këtë pronë ai nuk mund t’ia kthejë shtetit, atëherë do të paguajë çmimin për metër katror sipas vlerës së tregut, përcaktuar në hartën e vlerës së tokës që ka Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. Në rast se evidentohet se toka është vjedhur apo përfituar pa të drejtë, komisioni vendor do t’i propozojë komisionit që drejtohet nga zëvendëskryeministri për t’i hequr titullin e pronësisë. Personi i prekur do të ketë afat vetëm 60 ditë për t’u ankimuar në gjykatë, ndryshe, vendimi i komisionit do të hyjë në fuqi, duke tjetërsuar pronësinë e duke ia kaluar shtetit. Sipas të dhënave, është vërejtur se me ligjin 7501 janë dhënë në mënyrë abuzive 26 mijë hektarë tokë, ndërsa me ligjin për ndarjen e tokave bujqësore dhe kooperative janë ndarë 12 mijë hektarë tokë. Ndërkohë, ka probleme kufijsh në 180 raste për 2 700 hektarë. Rreth 12 mijë subjekte kanë zënë tokë në mënyrë të paligjshme në një sipërfaqe prej 6 100 hektarësh. Ndërkohë, janë kryer abuzime me dokumentet e pronësisë të dhëna sipas ligjit 7501 dhe 8053.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›