E Diel, 1 Nëntor 2026

Kongresi i PD-së, Berisha premton surpriza



Kryeministri, njëkohësisht kryetari i PD-së, Sali Berisha, paralajmëroi dje ndryshime në mënyrën e strukturës së Partisë Demokratike në kongresin e ardhshëm të partisë që pritet të mbahet në muajin maj. Berisha tha se në këtë kongres do të ketë një hov për energjinë e PD-së. Deklarata e kreut të mazhorancës u bë dje gjatë nënshkrimit të marrëveshjes me Partinë Agrare Ambientaliste të Lufter Xhuvelit, e cila do të jetë në një koalicion me PD-në. I pyetur nga gazetarët në lidhje me zyrtarizimin e shkrirjes së PD-së me PDR-në, Berisha tha se kuvendi i PD-së do të ndjekë të gjitha procedurat e duhura. “Për sa i përket Kuvendit, do vendosin strukturat se si do jetë dhe ju gazetarët do të jeni të parët që do ta merrni vesh. Unë them që kuvendi do ndjekë të gjitha procedurat, siç e detyron statuti, sepse statuti i ka të përcaktuara. Kuvendi do të jetë energjia, vizioni i fitores, ndaj si mund të jetë pas zgjedhjeve. Para zgjedhjeve do të jetë hovi”, - deklaroi Berisha. Në marrëveshjen e djeshme me PAA-në, Berisha tha se kushtet për sa i përket bashkëpunimit në qeverisje me Xhuvelin, do t’i vendosë Parlamenti i ardhshëm. “Ky koalicion është për fitoren elektorale dhe qeverisjen e vendit dhe se cilat do të jenë postet, do t’i caktojë Parlamenti i ardhshëm shqiptar, por PAA-ja do të jetë parti qeverisëse”, - tha Berisha.

Nga ana e tij, kryetari i PAA-së, njëkohësisht ministër i Mjedisit, tha se bashkëpunimi me PD-në ka qenë i frytshëm. "Ky bashkëpunim rezultoi produktiv, i suksesshëm dhe reciprokisht korrekt, në të gjitha pikat që ne kemi nënshkruar së bashku në vitin 2005. Programi i PAA-së u integrua tërësisht në programin e qeverisë, që tashmë është zbatuar dhe tejkaluar”, - tha Xhuveli.

Kryeministri Berisha tha më tej se koalicioni me PAA-në ka bërë të mundur një politikë më të mirë për mjedisin. Ai tha më tej se ky koalicion do të ketë një vizion të ri për mjedisin në mandatin tjetër. “Koalicioni ka kërkuar dhe kërkon një vëmendje ligjore të posaçme për mbrojtjen dhe zhvillimin e mjedisit, ka ndërmarrë një seri hapash të mëdhenj, janë zgjeruar me shpejtësi, sa asnjëherë tjetër, parqet kombëtare, në mbrojtje të pasurisë përrallore të florës dhe faunës shqiptare. Koalicioni ka një vizion të përbashkët pas fitores, për të marrë hapa të tjerë të mëdhenj në dy drejtime themelore, si në mbrojtjen dhe zhvillimin e mjedisit, ashtu edhe në zhvillimin e qëndrueshëm rural”, - deklaroi Berisha. Koalicioni mes dy partive është i ngjashëm me koalicionin që u bë me Partinë Republikane. PAA-ja do të garojë me sigël më vete, duke matur forcat e saj. Asnjë figurë e kësaj partie nuk do të jetë në listën e PD-së për deputetet, por do të duhet që të garojë për të fituar votat e mjaftueshme për të fituar vende në Kuvend.

Dorëheqja e Ramës për deputet, Berisha: Nuk e besoj në ditën e gënjeshtrave

Kryeministri Sali Berisha, gjatë konferencës për shtyp dje me Drejtorin e Përgjithshëm për Zgjerimin në Komisionin Evropian, Michael Leigh, u pyet nga mediat në lidhje me një dorëheqje të mundshme të Edi Ramës nga Bashkia e Tiranës për të garuar si deputet. Berisha u përgjigj se nuk e besonte në ditën e gënjeshtrave këtë deklaratë të Ramës, por tha se do ta mirëpriste një gjë të tillë. Sipas tij, me këtë rast, kryeqyteti do të kishte një kryetar të ri bashkie, të cilin do ta meritonte. “Vështirësitë për të qenë i besueshëm, për Edi Ramën, janë të mëdha në ditë të zakonshme, le më pastaj në ditën e gënjeshtrave. Por nëse kjo është e vërtetë, e siguroj se do t'ia pranoj menjëherë dorëheqjen dhe do ta bëjmë Tiranën me një kryetar të ri bashkie, të cilin e meriton”, - deklaroi Berisha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›