Ndryshime në PD, Gerti Bogdani në FRPD, Erla Mëhilli, zëdhënëse
Partia Demokratike pësoi dje një ndryshim në strukturën e saj të brendshme organizative. Gerti Bogdani nuk do të jetë më zëdhënësi i PD-së, por në vend të tij do të jetë Erla Mëhilli, ish-zëdhënësja e Ministrisë së Transporteve. Gerti Bogdani, njëkohësisht kryetar i minibashkisë numër 10, është ngarkuar me punët e Jashtme në PD. Njëkohësisht, Bogdani është ngarkuar që të punojë në Forumin Rinor të Partisë Demokratike. Qëllimi i ngarkimit me punë të Gerti Bogdanit në Forumin Rinor është bërë me qëllim për rritjen e kapaciteteve organizative tek të rinjtë e PD-së. Bogdani organizoi dje konferencën për shtyp të fundit si zëdhënës shtypi në PD, ku prezantoi edhe zëdhënësen e re, Mëhilli. “Do të merrem me Marrëdhëniet me Jashtë në parti, njëkohësisht edhe me Forumin Rinor të PD-së”, - deklaroi Gerti Bogdani.
Godo: Zgjedhjet, të lira dhe transparente
Kryetari i Asamblesë Kombëtare të Partisë Republikane, Sabri Godo, zhvilloi dje takimin e radhës në rrethin e Shkodrës. Përpara simpatizantëve të PR-së, Godo tha se koalicioni i djathtë i ka vënë vetes si qëllim realizimin e zgjedhjeve tërësisht të lira dhe demokratike. “Ne jemi pjesë e një koalicioni të suksesshëm dhe i kemi vënë vetes disa qëllime kryesore, siç është arritja e standardeve të larta në zgjedhjet e ardhshme, të cilat duhet dhe do të jenë të lira dhe transparente. Ne jemi të sigurt se këto zgjedhje do të na sigurojnë një mandat të dytë dhe në këtë mënyrë, fitoren e Partisë Republikane”, - tha Godo. Ai më tej tha se PR-ja ka një kontribut në ndërtimin e demokracisë. “Ne jemi një parti që kemi dhënë një kontribut për ndërtimin e demokracisë dhe zhvillimin e saj. Ne kemi qenë dhe jemi një parti e djathë. Partia Republikane ka qenë përherë e ndjeshme ndaj problemeve të saj, familja është një ndër shtyllat e përhershme të kësaj partie dhe një ndër pikat e programit tonë elektoral. Ne, si forcë politike, synojmë forcimin e moralitetit shoqëror”, - deklaroi Godo.