E Shtunë, 31 Tetor 2026

Basha: Eksperiencë çeke për projektin e tramit

05-04-2012 / Gazeta 55

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha takoi ambasadoren e Çekisë në Tiranë, Bronislava Tomasova

Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha zhvilloi një takim me ambasadoren e Republikës së Çekisë në Tiranë, Bronislava Tomasova. Në këtë takim Zoti Basha nënvizoi si prioritet të punës së tij zhvillimin ekonomik dhe rritjen e shanseve të punësimit. Kryetari i Bashkisë së Tiranës e ka njohur ambasadoren e Republikës Çeke me potencialet që ofron Tirana për investime, por edhe lehtësitë që ofron Bashkia për ata që zgjedhin Tiranën si destinacion të planeve të tyre të investimit duke u ndalur në mënyrë të veçantë tek projektet strategjike. Zoti Basha theksoi se 7 studio ndër më të mira në botë në fushën e arkitekturës konkuruan për projektin e zgjatimit të
bulevardit dhe rehabilitimin e Lumit të Tiranës, pritet të shpallet së shpejti projekti fitues. Një tjetër projekt i rëndësishëm është ai i terminalit multimodal të pasagjerëve. Aktualisht theksoi zoti Basha 11 kompani kanë shfaqur interes për të bërë studimin e fizibilitetit të terminalit, i cili financohet nga BERZH. Në mënyrë të veçantë zoti Basha u ndal në projektin e tramit ku Çekia ka një nga eksperiencat më të mëdha e të sukseshme të Europës në këtë fushë. Vetëm Praga ka mbi 934 tramvaj. Zoti Basha theksoi se synon të ndërtojë dy linja trami në kryeqytet. Një do të shtrihet nga zona e kombinatit deri në Kinostudio dhe linja tjetër e tramit do të shtrihet nga terminali i ri i pasagjerëve për të vijuar përgjatë bulevardit të ri e deri tek sheshi Nënë Tereza.
Basha tha se mirëpret eksperiencën e çmuar të Çekisë në këtë fushë dhe kompanive Çeke për të realizuar këtë projekt të tij. Në këtë takim zoti Basha dhe zonja Tomasova kanë diskutuar edhe për bashkëpunimin mes Tiranës dhe Pragës dhe nxitjen e investitorëve Çek për të investuar dhe bërë pjesë e realizimit të projekteve të Tiranës së shekullit të 21.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›