Basha: Fazë e re në luftën ndaj krimit të organizuar
Lufta ndaj krimit të organizuar dhe mafies në vend do të hyjë në një fazë të re. Ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, paralajmëroi në javët e ardhshme se do të intensifikohet goditja ndaj krimit të organizuar, ku luftën do ta fitojë Policia e Shtetit. “Ligji “Antimafia” dhe ligji për konfiskimin e pasurive janë mjete të reja ligjore në luftën e pashtershme të Policisë së Shtetit kundër krimit të organizuar. Një fazë e re ka nisur në luftën kundër mafies. Kjo luftë do të fitohet nga Policia e Shtetit. Në bashkëpunim me partnerët tanë ndërkombëtarë, në javët dhe muajt e ardhshëm, ne do të intensifikojmë goditjen ndaj krimit të organizuar duke shënuar nivelet më të larta të kësaj lufte”, - u shpreh ministri Basha pas një ceremonie dhurimi të disa pajisjeve për trajnime mbi taktikat mbrojtëse të programit ICITAP, ku ishte i pranishëm edhe ambasadori i SHBA-së, z. John L. Withers II.
Në këtë takim iu dhuruan pajisje, si kostume taktike, pistoleta mësimore, thika e shkopinj mësimore, dyshekë të palosshëm, mburoja etj., Qendrës së Formimit Policor. Ministri Basha falënderoi për ndihmën e dhënë dhe theksoi se përvoja amerikane që po fiton Policia e Shtetit është një nga praktikat më të mira ndërkombëtare të shërbimit policor. Ai shtoi se avancimi i policisë shqiptare drejt standardeve euroatlantike është padyshim një meritë e padiskutueshme e kontributit euroatlantik dhe në këtë rast e qeverisë së SHBA-së, për pajisjen e policisë me mjete dhe sisteme bashkëkohore dhe trajnimin me metodat më të përparuara të policimit.