Berisha: Pse mungova në fushatën e Bashës për Tiranën
A janë mërzitur shumë veta në Partinë Demokratike, që ju po flisni sot dhe z. Lulëzim Basha do të flasë nesër?
Përkundrazi, ata që presin bashkëpunëtorët e mi nga unë, dhe unë nga bashkëpunëtorët e mi, është një fitore e merituar në datën 8 maj. Kam bindjen e plotë se po ecim drejt saj. Gjithçka tjetër i mbetet periferisë së thashethemit. Në fakt, në thelb, kjo ka qenë fushata, mund të them, në të cilën ekipi drejtues i PD-së ka qenë më i angazhuar se kurrë në të. Pret me kënaqësi rezultatin e zgjedhjeve në datën 8 maj. Është shumë normale, se në zgjedhjet e qeverisë vendore të udhëhiqen nga Tirana. Fushata është një festival madhështor, ku nuk shkëlqen talenti kulturor i qytetarëve, por talenti politik i tyre. A e di ti se çdo shqiptar, në fushatë, bëhet politikan me kohë të plotë?
Kjo zgjedhje e juaja për të folur ju sot dhe Basha nesër, është zgjedhje për këto zgjedhje apo afatgjatë?
Kjo është zgjedhje përfundimtare. Zgjedhjet lokale, do të mbyllen me intervistën apo debatin e qytetarit të parë të Tiranës.
Në rast se do ta humbni Tiranën, do e konsideroni se do ti humbni zgjedhjet z. Berisha?
Përpjekja tre shekujt e fundit ka qenë për barazimin e votës. Vota është e barabartë kudo që ajo hidhet. Unë të garantoj, se në rast se zoti Edi Rama, me aleancën e tij për të ardhmen, për vetminë, merr qoftë edhe një votë më shumë se aleanca ime, unë do të them se ai i fitoi zgjedhjet.
Votë për këshilltarët?
Votë në planin e përgjithshëm.
Pra i qëndroni votës popullore, në rang vendi?
Pa diskutim.
A po thoni që këto zgjedhje mund të shndërrohen në një referendum politik?
Për qeverinë?!
Pa dyshim
Po ajo do të faktohet. Por për qeveritarët vendorë, zgjedhjet s’mund të kenë kurrë karakter politik. Unë të garantoj se zgjedhjet e përgjithshme do të zhvillohen javën e fundit të qershorit 2013. Është e vendosur kjo, është një ABC-ja e kulturës politike. Zgjedhjet në një sistem demokratik kanë një përcaktim kushtetues, i cili ndryshon vetëm në rast të humbjes së mazhorancës në Parlament.
Pra ju thoni se kalkulimi i votave për koalicionet garues, do të përcaktojë se kush është fitues?
Pa diskutim që po.
Nuk ka asnjë mënyrë tjetër?
Jo. Pse mendoni ju se mund të pranoj unë teorinë e eskimezëve, që nxorën ata në vitin 2007?
Po a ka më shumë peshë vota në Tiranë?
Tirana pa diskutim që është kryeqyteti i vendit, epiqendra e të gjithë zhvillimeve madhore, por në rrafsh qytetar, qytetarët janë të barabartë.
Si ka qenë kjo fushatë, krahasuar me të tjerat?
Më e bukura. Ka disa risi, ju përmbajtja deklaratës për një fushatë në dietë. Fushatë në të cilën, edhe kryeministri i vendit përdori një mjet të marrë me qira. Mbi shpatullat e taksapaguesve, kushtoi shumë më pak. Kjo është një fushatë, në të cilën qytetari, më shumë se kurrë u vu në epiqendër. Ne flisnim për qytetin, zoti Rama fliste për fajin e Berishës. Më në fund, ai u rikthye dhe u kujtua se ka qytet, ka projekte, ka zhvillime. Fushata ka një dimension interesant, atë dixhital. Në fushatën e kaluar, në vitin 2009 i vura vetes qëllim të zhvilloj fushatën elektronike. Mora një këshilltar të grupit të Presidentit Obama, nga Florida. Nuk ishte ndër kryesorët, por ishte përgjegjës për fushatën dixhitale dhe e zhvilluam shumë mirë. Në këtë fushatë ka një risi pozitive, facebooku. Është mënyra më sociale e komunikimit. Fakti që për qytetarin e parë të Tiranës, u angazhuan në facebook mbi 250.000, nga të cilët sipas qendrës së statistikës së kësaj faqeje, në Amerikë 136.000 janë në Tiranë.
Opozita tha se janë të blerë?
Të vetmen gjë që nuk mund ta bësh kurrë. Nuk e blen dot një njeri në facebook.
Nëse 130.000 veta janë në Tiranë, atëherë ju i paskeni fituar zgjedhjet?
Nuk besoj të ketë fëmijë në klasë të 5 e sipër që nuk janë në facebook. Por këta janë individë me një influencë të fuqishme në familje. Nuk ka asnjë lajm më pozitiv për Lulzim Bashën, sesa në familje të thotë djali ose vajza se komunikova me Lulzim Bashën.
Ju keni facebook apo jo?
Ekzistojnë shumë faqe në facebook të miat. Do të hap të parën, e kam vendosur së pari me mbesën time e më pas do të kem lidhje me të tjerët. Por duhet të marr më parë pëlqimin e saj. Por po, do të kem një faqe sigurisht.
Meqë dolëm tek piramida, zoti Basha tha se nuk është për prishjen e piramidës, ju keni thënë po....
Nuk është vetëm zoti Basha, janë shumë të tillë. Tirana duhet të jetë Tirana Europiane. Kush e pengoi zotin Rama ta bënte këtë? Kur unë kam parë në media lumin e Tiranës, dëshpërimi im ka qenë shumë i thellë.
Zoti Rama tha se do të hapë 300.000 vende pune në vitet e ardhshme....
Tani kuptova se kur Fatos Nano bëri fushatën në vitin 2005, deklaroi se do të krijojë 200.000 vende pune, ja paska dhënë Rama, se paska mani për statistika ty. Ka dy muaj që u thotë shqiptarëve, se ka 1 milionë të papunë si Ramiz Alia, tani thotë do hapë 300.000 vende pune. Nesër, prit kur të thotë 500.000. Ka një shprehje që thotë, po më gënjeve një herë, fajin e ke ti se të besova, por po më gënjeve për së dyti... shqiptarët nuk e besojnë më.
Po meqë Edi Rama ka fituar 3 herë në Tiranë, për se është divorcuar tre herë PD me Tiranën? A shihni ndonjë gabim ju në raport me Tiranën?
Ka pasur një gabim në fushatën e vitit 2007, më doli jashtë kontrolli emetimi i një spoti, që nuk duhej emëtuar, dhe për të cilin unë mbaj përgjegjësi. Ai që nxirrte zotin Rama në plazh. Ai nuk duhej bërë.
Ju nuk ishit entuziast për atë spot?
Po të kisha qenë vetë, nuk do e kisha lëshuar atë spot.
Po në vitin vitin 2000 dhe në vitin 2003?
Në vitin 2003 fituam, për vitin 2000 nuk them dot, sepse zgjedhjet ishin katastrofë.
Dhe në vitin 2009, vota në bashki nxjerr fituese PS-në?
Jo, jemi ne pak përpara në Tiranë, bashkë me LSI-në në Tiranë jemi shumë përpara.
Sa vendimtarë do të jeni ju në fitoren apo humbjen e zotit Basha?
Në fitoren apo humbjen e zotit Basha, natyrisht përcaktuese do të jetë vetë Tirana. Mendoj, se zoti Basha kandidon si zyrtari më i kompletuar në historinë e këtij kryeqyteti. Ka një pasaportë të shkëlqyer në investimet publike, në marrëdhëniet ndërkombëtare, në Ministrinë e Brendshme.
Kishte dhe një pasaportë gabim në një akt noterial?
Ja ku ra Rama! Bëri flamur të fushatës së tij, lapsusin e një noteri holandez. Ajo dukej që ishte një lapsus.
Por opozita mendon se zoti Basha është një sozi e juaja?
Zoti Rama ka një dhunti, në politikë është njeriu që i bie më shpesh se kushdo tjetër murit me kokë.
Dy kolegët e mi thonë, zoti Bejtja ju ka hequr nga lajmi i parë dhe ka nxjerrë zotin Basha. Zoti Bushati thotë që ju nuk keni guxuar as të dilni në krah të zotit Basha në Tiranë, nga frika se mos i hiqni atij vota. Është e vërtetë?
Kam dalë me të në hapjen e fushatës dhe mbyllja e fushatës me të do të jem. Zoti Basha bëri një punë të dobishme me strukturën e partisë. Roli im si kryetar i PD-së në fushatë, është të garantoj mbështetjen e plotë të strukturave dhe kandidatit. Këtë bëra unë kudo. Basha bëri një punë intensive me të gjitha strukturat e PD-së në Tiranë dhe pati një impakt shumë pozitiv. Kjo më bëri mua ta trajtoj Tiranën në rrafshin partiak njëlloj si Shkodrën, Elbasanin etj.
Cila ishte kjo punë paraprake?
U takua me ta. Me të gjitha strukturat e partisë.
U prit mirë nga strukturat e partisë?
Jashtëzakonisht.
Ka ndodhur të ketë pasur thyerje në strukturat e partisë në të kaluarën për kandidatët?
Ka ndodhur qartë. Ndërsa zoti Basha bëri një punë që nuk e kanë bërë kandidatët e tjerë. Për një muaj rresht, pa asnjë lloj lajmi, zhvilloi takimet me të gjitha strukturat e Tiranës. Vendosi raportin e mirëbesimit me to. Ajo që ka bërë Bejtja për mendimin tim është risia më madhore e kësaj fushate. Sepse kryelajmi për një fushatë vendore, është Tirana. Të gjithë shohin më me interes Tiranën, se sa udhëtimin tim në një qytet. Se ka impakt më të madh kryeqyteti, u vu aty ku e meriton.
Është hera parë që ju shoh të kënaqur, edhe pse ju nuk jeni lajmi i parë...
Po prit 2013-tën. Unë duhet të jem aty ku duhet të jem. Mos më krahaso ti mua me rivalin tim, që kandidon edhe për këtë, edhe për atë. Unë kandidoj për Kryeministër. Kam deklaruar, edhe President jo.
I qëndroni kësaj ideje? Nuk do jeni asnjëherë President, ju i keni votat?
Absolutisht i qëndroj. Unë jam Kryeministër. Madje nuk më vjen mirë, që të shoh të ndërrohen rolet në fushata elektorale.
Zoti Basha deklaroi se ndoshta nuk është për shembjen e piramidës, ndërkohë që është vënë në punë projekti për ndërtimin e piramidës...
Secili në vendin e tij. Zoti Basha shprehu një mendim. Ai theksoi se nuk është për prishjen, ndonëse piramida nuk ka vlera historike.
Mund të ndërtohet diku tjetër?
Me këto ndërtesat e shëmtuara të socializmit, unë nuk i fsheh qëndrimet e mia. Unë po të isha kryetar bashkie, do të bëja një referendum edhe për Pallatin e Kulturës. Ndërtesat e ndërtuara në periudhën e socializmit, janë më të dështuara nga ana arkitekturore. Ato u shembën 20 vite pas ndërtimit në shumë vende të botës.
Ka një shqetësim se mund të ketë një prishje të procesit të votimit, për arsye të tërheqjes së komisionerëve të opozitës, ditën e zgjedhjeve. A i druheni kësaj?
Ka disa elementë shqetësues, një pikëpamje që ekziston se zoti Rama do bojkotojë zgjedhjet për shkak të rezultatit që nuk e ka, etj. Por unë nuk jam i prirur t’i besoj këto. Unë kam prirjen të besoj plotësisht në përgjegjësinë dhe integritetin e komisionerëve të të gjitha forcave politike. Kam besimin se do t’i përmbahen ligjin. Nuk besoj se opozita do të ripërsërisë atë që bëri në vitin 1996, se do të ishte një kthim pas.
Kush do t’i certifikojë këto zgjedhje?
Zgjedhjet certifikohen nga faktori ndërkombëtar, OSBE/ODIHR.
A do të aplikohet standardi i kutive të hapura në këto zgjedhje?
Standardet ekzistuese janë standarde ndërkombëtare, dhe përveç kësaj janë miratuar me konsensus të plotë të dy forcave politike.
Cili është raporti brenda koalicionit tuaj? Si u ndërtua ky koalicion i madh?
Porosia ime ka qenë që me aleatët tanë të jemi të hapur, zemërgjerë sepse aleanca ndërtohet jo për një moment por për afat të gjatë. Fushatën time unë e bazoj në aleanca dhe premtime. Përpiqem gjithnjë të bëjë aleancën më të gjerë, e cila më kushton, sepse votat e PD-së nuk është se i mbledh më mirë, por nga ana tjetër ka avantazhe të pakompensueshme.
Për se për dy vjet rresht janë penguar lejet e ndërtimit në Tiranë?
Shkakun e vërtetë nuk e di se është atribut tërësisht i kryetarit të bashkisë, sepse ka pasur edhe shumicën në Këshillin e Rregullimit të Territorit. E sigurt që pas, qëndrojnë interesa klienteliste. Qeveria nuk ka asnjë lidhje me lejet e ndërtimit në kryeqytet.