E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Në 66 njësi vendore, LSI më shumë vota se në 2009

TIRANË- Dy ditë pas përfundimit të procesit të votimit, ka ardhur edhe reagimi i parë zyrtar nga Lëvizja Socialiste për Integrim. “Më lejoni t’ju them që në 66 Njësi Vendore, të cilat janë kryesisht komuna, për të cilat ne kemi rezultatin e shpallur nga KZAZ-të, LSI ka marrë 19300 vota, nga 11600 të tilla të marra në zgjedhjet e vitit 2009. Ne kemi të konfirmuar, tashmë fitoren në dy bashki, në Bashkinë e Lezhës dhe në Bashkinë e Çorovodës. Ndërkaq më lejoni t’ju bëj të ditur gjithashtu, që vetëm në Rrethin e Tropojës, ku kemi rezultatet përfundimtare të shpallura nga KZAZ, LSI ka marrë 1016 vota, nga 191 vota të marra në vitin 2009 apo krahasuar me vitin 2007, ku janë marrë 579 vota. Meqenëse po flasim për rrethin e Tropojës, më lejoni t’ju bëj të njohur që në të gjithë Njësitë Vendore në këtë rreth, rritja e votave pro LSI-së është me disa fish. Për shembull në Bashkinë e Bajram Currit, nga 89 vota të marra në vitin 2009, në zgjedhjet e 8 majit për LSI-në kanë votuar 287 vetë ose për Komunën Bujan nga 18 vota të marra në vitin 2009, kanë votuar për LSI 159 votues...”, - tha dje Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Luan Rama. Më tej, Rama ka bërë një panoramë të disa komunave të tjera (kryesisht në veri), ku LSI-ja ka marrë më shumë vota se në vitin 2009. “Më lejoni t’ju them paraprakisht që të tillë tendencë në rritje dhe të tilla tregues ka edhe në të gjitha qendrat e votimit të numëruara në qytetin e Tiranës. Duke respektuar punën që bëjnë të gjitha komisionet, në mënyrë të veçantë grupet e numërimit, LSI-ja iu drejtohet atyre që të vazhdojnë të punojnë me korrektesë dhe në zbatim të ligjit për të kurorëzuar në mënyrë dinjitoze dhe me sukses këtë proces, që thashë është shumë i rëndësishëm për qytetarët e këtij vendi, është shumë i rëndësishëm për cilësinë e angazhimit qytetar të të gjithë shqiptarëve, si kontribut pozitiv për integrimin europian të vendit”, - tha Rama.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›