E Shtunë, 31 Tetor 2026

Basha: Fond ekselencë për artin në Tiranë

05/05/2011  Toënhall meeting”, kandidati i mazhorancës shpalos platformën

“Do të krijojmë një kulturë të re konsensusi me qytetarët, për interesat e qytetit dhe testi më i madh këtu do të jetë plani i ri urbanistik i Tiranës dhe unë ju siguroj se do të bëj gjithçka që ky plan i ri urbanistik të ketë shenjën biometrike të çdo qytetari të Tiranës.” Me një zotim të tillë u shfaq dje kandidati i mazhorancës, Lulzim Basha, përpara banorëve të njësisë bashkiake nr. 7 në Tiranë. Në vijim të takimeve të tij elektorale, kandidati për kryetar bashkie u ndal dje në një bashkëbisedim me banorë të kësaj njësie. Në formatin e ri, që po aplikohet për herë të parë në Shqipëri, “Toënhall meeting”, kandidati i mazhorancës iu përgjigj interesit të qytetarëve në lidhje me shqetësimet që hasin përditë, si infrastruktura, strehimi, transparenca e deri te politikat sociale. Fillimisht, Basha u ndal te politikat që do të ndërmerren për trajtimin e moshës së tretë. “Pikësëpari do të ngre pranë çdo njësie vendore një qendër sociale për të moshuarit, me kujdes të përditshëm dhe me kapacitet të përnatshme me shtretër. Të moshuarit aty do të kenë shërbim mjekësor falas, aktivitete ndërvepruese të përditshme me njëri-tjetrin, shtyp falas dhe lehtësi të tjera”, - u shpreh Basha. Gjithashtu, sipas tij, në qytetin e Tiranës çdo pensionist apo pensioniste mbi moshën 65 vjeç do të ketë transport publik falas.

Por ndërkohë në vijim të prezantimit të projekteve të tij për përmirësimin e cilësisë së jetës për komunitetin Basha u ndal dhe te politikat për strehimin. “Do të nisim menjëherë nga puna, duke vënë territoret publike të Bashkisë në dispozicion të qytetarëve të Tiranës. Do të ndërtojmë në këtë mënyrë, në partneritet me sektorin privat, në katër vjetët e ardhshëm të paktën 1000 apartamente për të pastrehët. Për çiftet e reja do të kemi një fond special të garantuar nga Bashkia e Tiranës, që do të bëjë të mundur kredi të zbutura”, - vuri në dukje Basha gjatë fjalës së tij. Po kështu projekti “Basha” përfshin dhe një aspekt mjaft të rëndësishëm, siç janë politikat për artin dhe kulturën. Në vlerësimin e Bashës artistët jo vetëm nuk do të jenë më të harruar dhe të braktisur, por do të gjejnë te Bashkia një mbështetës të madh të projekteve të tyre. Ngritja e një fondi ekselence do të jetë një nga hapat e parë që do t’u vijë në ndihmë artistëve. Njëkohësisht propozimi i ardhur nga artistët për ta shndërruar Tiranën në një kryeqytet europian të kulturës është pikërisht objektiv i punës së Bashës.

Projekti për artin

“Unë besoj se ka ardhur koha që ne t’i vëmë vetes objektiv që Tirana të jetë kryeqytet europian i kulturës në 5 vjetët e ardhshëm. Ka ardhur koha që ky qytet dhe qytetarët e tij të marrin përgjegjësitë e veta për trashëgiminë e jashtëzakonshme kulturore e artistike dhe autorët e saj. Unë jam i vendosur të përdor të gjithë energjitë bamirëse të këtij qyteti, por me Bashkinë në krye, që të themelojmë një fond ekselence për të siguruar dinjitetin e plotë njerëzor në çdo ditë të jetës së çdo autori, prodhuesi, të vlerave artistike kulturore të Tiranës dhe Shqipërisë. Unë ju premtoj se fondin e ekselencës do ta bëj realitet brenda vitit 2011.”

Qeverisja

“Ne jemi angazhuar solemnisht që t’i heqim të gjitha tatimet e qeverisë mbi biznesin e vogël dhe të garantojmë një liri të paprekshme për çdo sipërmarrës të këtij vendi. Pakti ynë qytetar është për një administratë publike transparente dhe për të drejta të garantuara për çdo nëpunës të këtij vendi. Ne jemi aleanca e ëndrrave që bëhen realitet.”

Taksat

“Në paktin tonë një pjesë e rëndësishme i kushtohet familjes, kujdesit, përkrahjes dhe mbrojtjes së familjes së zakonshme shqiptare. Asnjë taksë për të gjitha kategoritë në nevojë. Ne do të realizojmë të paktën përgjysmimin e TVSH-së për ushqimin bazë dhe TVSH zero për ilaçet, bukën, qumështin dhe vezët. Kredi për të gjithë të pastrehët.”

Kërkesa

“Vota juaj më 8 maj ka një vlerë të jashtëzakonshme. Mos e harroni asnjëherë se vota është fuqia magjike e demokracisë, është fuqia që demokracia i jep çdo njeriu të zakonshëm, deri në fshatin më të largët, që ta gjykojë dhe ta ndëshkojë qeverinë. Më 8 maj ju keni një votë për t’i thënë Saliut “kurrë më!” dhe për të garantuar ecjen përpara.”

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›