Basha-Fratini: Liberalizimi i vizave nis në fillim të vitit 2009
Përgaditet takimi Berisha-Berluskoni
Fratini premton perspektivë reale me viza në fillim të vitit
Ministri i Punëve të Jashtme Lulzim Basha zhvilloi ditën e djeshme një vizitë zyrtare në Itali ku u takua me homologun e tij Franko Fratini ku në qendër të bisedimeve kamë qenë marrëdhëniet mes dy shteteve si dhe rritja e bashkëpunimit. Duke qëndruar tek pika e fundit, rritja e bashkëpunimit, Fratini ka premtuar se duke filluar nga fillimi i vitit 2009, liberalizimi i vizave me shqiptarët do të jetë tashmë një çështje konkrete. Fratini tha veçanërisht për Shqipërinë se është në pozitë shumë të mirë dhe se fillimi i vitit 2009 do të shënojë një perspektivë reale për liberalizimin e vizave me Shqipërinë. Ministri i Jashtëm italian tha se të gjitha vendet e rajonit do të kenë lehtësira me anë të një pakete të përbashkët nga e cila do të ndihmojë në lëvizjen e lirshme të qytetarëve të të gjitha vendeve të Evropës juglindore.
Në bisedimet mes dy ministrave, theksi u vu në bashkëpunimin intensiv politik midis Tiranës dhe Romës. Ministri Fratini i përcolli ministrit Basha ftesën për një vizitë zyrtare të Kryeministrit Berisha në Romë. Takimi i ardhshëm midis Kryeministrit Berisha dhe Kryeministrit Berluskoni do të jetë një takim midis dy miqsh të vjetër. Gjithashtu, z.Fratini u shpreh se presin dhe realizimin e vizitës së Presidentit Topi ne Romë, vizitë, e cila u shty për shkak të zgjedhjeve të parakohshme në Itali. Gjithashtu, z. Fratini do të vizitojë Tiranën në tetorin e ardhshëm me ftesë të ministrit Basha.
Gjatë takimit ministri i Jashtëm Fratini theksoi mbështetjen që Italia i jep perspektivës evropiane të Shqipërisë. Ai theksoi se Shqipëria ka bërë një progres të shpejtë drejt integrimit evropian. Basha tha më tej se lufta kundër krimit të organizuar është një histori suksesi e Shqipërisë. Homologu Fratini theksoi se prokurorët italianë janë shumë të kënaqur me bashkëpunimin e deritanishëm me Shqipërinë. Një theks i veçantë gjatë takimit u vu tek çështja e liberalizimit të vizave për Ballkanin Perëndimor. Gjithashtu u bisedua edhe rreth bashkëpunimit në fushën e energjisë bërthamore midis dy vendeve ku bashkëbiseduesit theksuan rëndësinë e një pune të përbashkët për ndërtimin e centraleve bërthamore. Gjithashtu, u diskutua dhe rreth çuarjes me tej të bashkëpunimit në fusha si drejtësia, rendi, infrastruktura, arsimi e tjerë. Nga ana e tij ministri Basha theksoi se Italia është një partner strategjik i Shqipërisë si dhe partneri kryesor politik dhe ekonomik i vendit tonë.
Socialistët sulmojnë zv.ministrin e Jashtëm Gurakuqi
Partia Socialiste ka sulmuar ditën e djeshme në seancë plenare nëpërmjet deputetit Taulant Balla zëvendësministrin e Jashtëm, Anton Gurakuqi. Sipas Ballës, Gurakuqi, si numri dy i diplomacisë shqiptare, po bën një punë të papërgjegjshme. “Sipas të dhënave, zotëria Gurakuqi nuk shkon fare në zyrë, por rri gjithë ditën kafeneve. Madje ai shkon në zyrë vetëm ditën kur ka ndonjë shkresë për të firmosur”, - tha Balla. Deputeti socialist Balla akuzoi më tej edhe mënyrën e të punuarit që zyrtari Gurakuqi bën në punën e tij. Balla akuzoi më tej zëvendësministrin se po ndërton një ndërtesë të jashtëligjshme në qytetin e Shkodrës, që sipas tij po i prish imazhin këtij qyteti.