E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dekretet e Presidentit, pas rregullores së re



Dekretet e reja që pritet të vijnë nga Presidenti në Kuvend për emërimin e anëtarëve të Gjykatës së Lartë do të shqyrtohen sipas procedurës së re, që do të hartojë Kuvendi në rregulloren e tij. Kryetari i Komisionit të Ligjeve, Fatos Beja, bëri të ditur ditën e djeshme se situata e fundit ku u rrëzuan të pesë dekretet nuk ka për t’u përsëritur për shkak të procedurës së re. “Parlamenti po përcakton procedurat përkatëse, në mënyrë që të mos përsëritet më situata e krijuar me rrëzimin e dekreteve të Presidentit. Presidenti është vënë në lëvizje për të ushtruar funksionin e tij, duke marrë në konsideratë atë që ndodhi, ndërkohë që edhe Parlamenti po vepron, në mënyrë që të përcaktohen procedurat që të mos ndodhemi më në një situatë të tillë”, - tha Beja për mediat. Beja tha njëkohësisht se si deputet ka depozituar në Kuvend një propozim në lidhje me ndryshimin e rregullores. “Rregullorja përcakton procedurat për Parlamentin dhe mënyrën se si do të veprohet për të realizuar atë që Gjykata Kushtetuese ka përcaktuar me vendimin e saj lidhur me këtë çështje. Pra, procedurat për të realizuar mënyrën më të mirë që përzgjedhja e kandidaturave të institucioneve kushtetuese dhe institucioneve të përcaktuara me ligj të jenë sa më të sakta, sa më transparente dhe t’i shërbejnë sa më mirë qëllimit të tyre”, - tha më tej Beja. Nga ana tjetër, edhe opozita ka bërë lëvizjet e saj. Partia Socialiste ka propozuar ndryshime në nenin 111 të Rregullores së Kuvendit. Sipas propozimeve të PS-së, Kuvendi duhet të kenë më tepër kompetencë për shqyrtimin e dekreteve, por ka kërkuar edhe që Kuvendi të organizojë seanca dëgjimore për çdo rast, si dhe zhvlerësohet afati kohor që dekretet të hyjnë në kalendarin e punimeve. Sipas amendimit të kërkuar, dekretet hyjnë automatikisht në kalendarin e punimeve të Kuvendit. Në relacionin e këtij propozimi ligjor thuhet se PS-ja kërkon që të ndryshojë nenin 111 të Rregullores së Kuvendit, pika 3. “Kryetarja e Kuvendit, pasi dekretet dorëzohen në Kuvend menjëherë, ia dorëzon Komisionit të Ligjeve, i cili tani ka dy javë kohë për të shqyrtuar dekretet”, - thuhet në amendimin e PS-së. Në rast të dhënies së pëlqimit, atëherë dekretet futen automatikisht në punimet e Kuvendit. Gjithsesi do të shihen edhe propozimet e PD-së në lidhje ndryshimin e rregullores. PD dhe PS kanë rënë dakord për ndryshimin e rregullores, por ende nuk kanë rënë dakord konkretisht në lidhje me ndryshimet përkatëse.

Pas tre vjetësh, Presidenti emëron anëtarin e Komisionit të Konkurrencës

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ka dërguar në Kuvend një dekret të ri, i cili nuk ka të bëjë me debatin e fundit për anëtarët në Gjykatën e Lartë, por për një tjetër anëtar tepër të rëndësishëm. Bëhet fjalë për vendin bosh të anëtarit që ka mbetur në Komisionin e Konkurrencës, një institucion i cili vëzhgon konkurrencën e ekonomisë shqiptare, merr masa për përmirësimin e saj, si dhe raporton çdo vit në Kuvend në lidhje me punën e institucionit. Pavarësisht rëndësisë së këtij institucioni, Komisioni i Konkurrencën kishte tr3 vite me një anëtar më pak në përbërjen e tij. Zyra e shtypit në Kuvend bëri të ditur se tashmë është depozituar në Kuvend edhe emrin i ri për këtë vend në Komisionin e Konkurrencës, duke theksuar se ky dekret pritej që nga viti 2005. “Sot, më datë 23 qershor 2008 ka mbërritur në Kuvend dekreti i Presidentit të Republikës për anëtarin e Komisionit të Konkurrencës. Në dekretin e tij, Presidenti i Republikës propozon zotin Bërhan Malevi për anëtar të Komisionit të Konkurrencës. Ky vend ishte vakant që prej tre vitesh, saktësisht që prej datës 2 qershor 2005. Propozimi për këtë vend vakant, lënë bosh prej tre vitesh, ishte tagër i Presidentit të Republikës”, - thuhet në njoftimin për shtyp të Kuvendit.

Biberaj drejton mbledhjen e Strasburgut

Nën drejtimin e zv.presidentit të Grupit Parlamentar të PPE-së në KE, deputetit shqiptar, Aleksandër Biberaj, u zhvillua në Strasburg mbledhja e Byrosë së Grupit Parlamentar të Partive Popullore Evropiane në KE. Byroja e PPE-së ka diskutuar axhendën e punimeve të Asamblesë Parlamentare të KE-së, e cila do të zhvillohet këtë javë në Strasburg, si dhe qëndrimet politike që do të mbajë ky grup parlamentar, mbi refuzimin që i ka bërë Irlanda, nëpërmjet referendumit, Traktatit të Lisbonës. Në këtë diskutim, z. Biberaj nënvizoi se “refuzimi që i ka bërë Irlanda Traktatit të Lisbonës, nuk duhet parë me tragjizëm, pasi referendumi mund të përsëritet, me qëllim që të arrihet një rezultat pozitiv”. Biberaj theksoi se “miratimi i Traktatit të Lisbonës nga të gjitha vendet anëtare të e BE-së është mjaft i rëndësishëm, pasi ky traktat përbën një dokument themelor për të ardhmen BE-së dhe të Evropës”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›