E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bruksel, Berisha referues për çështjen e Ballkanit

Kryeministri Berisha u nis dje për një vizitë dyditore në Bruksel, ku do të marrë pjesë në samitin e nivelit të lartë mbi Ballkanin, i organizuar nga Miqtë e Evropës. Samiti drejtohet nga komisioneri i Bashkimit Evropian për Zgjerimin, Olli Rehn. Kryeministri Berisha do të jetë një nga referuesit kryesorë në samit lidhur me rolin e Bashkimit Evropian në rajonin e Ballkanit. Pas samitit, Kryeministri Berisha do të zhvillojë një takim të veçantë me komisionerin për Zgjerimin në BE, Olli Rehn, takim që do të pasohet nga një konferencë e përbashkët për shtyp. Ky samit i nivelit të lartë mbi rolin e Bashkimit Evropian në Ballkan bashkëorganizohet nga Miqtë e Evropës, fondacioni gjerman, Konrad Adenauer, Si&Si Group, Instituti për Demokraci, Konstantinis Karamanlis, Gallup Europe, OECD dhe Pakti i Investimeve për Evropën Juglindore. Samiti është i ndarë në dy sesione, ku do të diskutohet për klimën e biznesit dhe ekonominë në Evropën Juglindore. Tryeza e rrumbullakët do të mbledhë përfaqësuesit e institucioneve të Bashkimit Evropian, të OECD-së dhe organizatave të tjera ndërkombëtare, të qeverive të vendeve anëtare të BE-së dhe qeverive të rajonit të Ballkanit, biznesmenë dhe ekspertë të medias për të diskutuar mbi sfidat kryesore dhe për zhvillimet ekonomike në Evropën Juglindore. Investimet e huaja direkte, sipërmarrja dhe bashkëpunimi rajonal, do të jenë disa nga çështjet që do të diskutohen në këtë samit. Në këtë samit marrin pjesë Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, kryetarja e Delegacionit të Parlamentit Evropian për Marrëdhëniet me Evropën Juglindore, Doris Pack, komisioneri i BE-së për Zgjerimin, Olli Rehn, Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, e krerë të vendeve të tjera evropiane.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›