Berisha: Të marrë fund konflikti me Topin
Mustafaj: Të ndryshojë ligji për Gjykatën e Lartë
Beja: Jo, do ndryshojmë rregulloren e Kuvendit
Mazhoranca tenton të zbusë konfliktin me Presidentin e Republikës, Bamir Topi, për çështjen e zgjedhjes së anëtarëve të rinj të Gjykatës Kushtetuese. Kryeministri Sali Berisha në mbledhjen e djeshme të grupit parlamentar të PD-së nënkuptoi marrjen fund të këtij konflikti, teksa u shpreh se duhet të shikohen marrëdhëniet President-Parlament dhe Gjykatë e Lartë. Berisha ka mirëpritur para deputetëve të tij grupin e punës të ekspertëve të ngritur nga Presidenti për përzgjedhjen e emrave për Gjykatën e Lartë, duke u lënë më shumë hapësira të vetëve që të shuajnë “zjarrin” me Presidentin. Madje, edhe vetë ndryshimin e rregullores, kreu i mazhorancës ia ka adresuar deputetëve të PD-së, konkretisht z. Beja, i cili ka njoftuar nismën për të ndryshuar këtë rregullore. Por deputeti Besnik Mustafaj ka propozuar që krahas ndryshimit të rregullores së Kuvendit, të ndryshojë dhe ligji për Gjykatën e Lartë. Madje, ai i është referuar rregullores së diplomatëve në Ministrinë e Jashtme për të shpjeguar më qartë mënyrën se si mund të veprohet me amendimet në ligjin për Gjykatën e Lartë. Sipas tij, “seancat dëgjimore me kandidatët t’i bëjmë duke amenduar ligjin për Gjykatën e Lartë”. Në këtë moment mësohet të ketë reaguar kryetari i Komisionit parlamentar të Ligjeve, Fatos Beja, duke e hedhur poshtë një ide të tillë, me justifikimin se çështja është të përcaktohet pozicioni i Parlamentit lidhur me dekretet dhe jo pozicioni i Gjykatës në Lartë. Në kushte të tilla, Kryeministri ka thënë: “Shikoje problemin dhe vendosni”. Po ashtu, Berisha ka vënë në dukje faktin se “z. Topi ka bërë mirë që ka ngritur grupin e punës, ndaj duhet të shikojmë marrëdhëniet President-Parlament-Gjykatë e Lartë, që të mos ketë konflikte të tilla”. Krahas debatit brenda PD-së, po zhvillohet dhe procesi i mbledhjes së kandidaturave për anëtarët e Gjykatës së Lartë. Pesë pozicionet për vendet bosh në Gjykatën e Lartë kanë ngjallur interesin e shumë gjyqtarëve dhe juristëve në vend. Afro 70 kërkesa, shoqëruar me eksperiencën përkatëse, janë depozituar në Presidencë, pranë komisionit të ekspertëve, të ngritur nga kryetari i shtetit, Bamir Topi. Kryetarja e Shoqatës së Gjyqtarëve, Manjola Bejleri, njëkohësisht edhe pjesë e grupit të ekspertëve, konfirmoi dje se pranë komisionit janë depozituar dhe vijojnë të depozitohen kërkesa të shumta, të cilat me pas do të përzgjidhen për t’u dekretuar nga Presidenti Bamir Topi në pritje për të marrë edhe pëlqimin e Parlamentit. Në listën e kandidatëve që do të përzgjidhen janë edhe 5 emrat e juristëve, që nuk morën pëlqimin e Parlamentit rreth një javë më parë. Ende nuk dihet nëse Presidenti, në bazë të kurrikulumit të tyre do të preferojë t’i rizgjedhë sërish për t’u kandiduar. Ndërkaq kërkesa pranë Komisionit të Ekspertëve pritet të mbërrijnë edhe gjatë ditës së sotme kur përfundon afati. Një javë më parë, Parlamenti rrëzoi me votim të fshehte 5 kandidaturat për anëtarë të Gjykatës së Lartë, me argumentin se nuk ishin konsultuar më parë në grupet parlamentare.