E Shtunë, 31 Tetor 2026

LSI-ja kërkon hartë të re administrative



Braho: Barazim të numrit të zgjedhësve në çdo qark

Kjo mund të sjellë prag kombëtar, i cili favorizon LSI-në

Lëvizja Socialiste për Integrim kërkon riformatimin e qarqeve apo zonave zgjedhore për zgjedhjet e përgjithshme të 2009[-ës. Eksperti i ligjeve zgjedhore dhe anëtari i kryesisë së LSI-së, Spartak Braho, zbardhi dje për mediat një prej propozimeve më të rëndësishme që ka LSI-ja për kryerjen e reformës zgjedhore. Braho konfirmoi se kjo parti do të marrë pjesë në komisionin e posaçëm që do të ngrihet për këtë çështje, por shprehu mosbesim për këtë reformë që do të bëhet nga dy partitë e mëdha. Nëse do të ketë rikonfigurim ose riformatim të qarqeve apo zonave elektorale, LSI-ja shpreson që të arrijë te pragu kombëtar dhe jo rajonal, siç kërkojnë dy partitë e mëdha. Kjo mund të realizohet vetëm nëse barazohet numri i zgjedhësve në çdo zonë elektorale apo qark elektoral. “Propozimet konkrete do të kenë të bëjnë me formatimin e qarqeve apo zonave zgjedhore, të cilat duhet të kenë padyshim numër të barabartë zgjedhësish. Duhet të ketë një prag kombëtar të barabartë për të gjitha rajonet, do të kërkojmë pjesëmarrjen në procesin e numërimit dhe administrimit të votave të faktorëve politikë, si dhe do të vazhdojmë të këmbëngulim edhe për pjesëmarrjen e emigrantëve në votim”, - tha Braho, duke përgjithësuar në thelb të gjitha propozimet e LSI-së në komisionin e posaçëm. Ndërkohë që prirja e dy partive të mëdha është pragu natyral ose rajonal. Kjo do të thotë që pragu ndryshon nga një qark në tjetrin, gjithmonë i llogaritur në bazë të numrit të zgjedhësve në këtë rajon.

Përplasjet

Braho shprehu dyshime për reformën zgjedhore që pritet të nisë këtë javë. Ai akuzoi sërish Partinë Socialiste për marrëveshje të fshehtë me PD-në në kurriz të partive të tjera të majta. “Përditë po shfaqet seria e telenovelës ‘Tradhtia e ka emrin Edi Rama’, madje edhe ky proces është pjesë e tradhtisë”, - tha Braho, duke shtuar se LSI-ja është për një proces transparent dhe të hapur, ku të marrin pjesë të gjithë aktorët dhe faktorët politikë. Ndërkohë, ai shprehu dyshime që reforma zgjedhore do të mbyllet brenda këtij sesioni parlamentar, sikundër kanë premtuar drejtuesit e dy partive të mëdha.

Reagon PS-ja: Nuk kemi pakt me PD-në

Pak pas deklaratës së Spartak Brahos, reagoi kryetarja e grupit parlamentar socialist, Valentina Leskaj, e cila vlerësoi se ky është mashtrimi i radhës i drejtuesve të LSI-së. Ajo tha se përderisa PS-ja ka bërë një ftesë për të gjitha forcat politike për kryerjen e kësaj reforme, nuk sheh asgjë të fshehtë dhe jotransparente. “Besoj se ky është mashtrimi i radhës që bëhet nga përfaqësues të ndryshëm të LSI-së, për arsye se nuk ka asnjë pakt në këtë rast, përkundrazi, ajo që unë kam bërë të qartë ditën e shtunë, është fakti që ne kemi propozuar një komision të kodit elektoral, me përfaqësim të të gjitha partive politike parlamentare. Unë nuk e di se ku mund të qëndrojë këtu pakti”, - tha Leskaj. Në këtë mënyrë rikthehen sërish përplasjet PS-LSI për reformën zgjedhore, çështje që është zanafilla e ndarjes së dy partive. LSI-ja tashmë ka pranuar sistemin zgjedhor që u sanksionua edhe në Kushtetutë, por kërkon që pragu elektoral të jetë me natyrë kombëtare i ripërcaktuar mirë dhe jo natyral sikundër duan dy partitë e mëdha.

Fino: Partia duhet të dijë çfarë bëjnë deputetët

Dy deputetët socialistë, anëtarë të Komisionit të Ligjeve, shkëmbyen dje në mbledhjen e grupit të PS-së batuta në lidhje me koordinatoren e re të FGS-së Ermira Danaj. Shkak për këtë është bërë pakënaqësia e shprehur nga Fino lidhur me një konferencë për shtyp që Danaj dha për mediat ditën e diel ku kërkoi që Kuvendi të miratonte sa më parë projektligjin për barazinë gjinore, i cili është duke u diskutuar në Komisionin parlamentar të Ligjeve. Mësohet se Fino është shprehur që duhet të ketë një punë më të organizuar mes punës së deputetëve në Kuvend dhe asaj të partisë, pasi ligji është duke kaluar në procedurat e tij normale. Pas tij, reagoi sekretari për çështjet ligjore, Fatmir Xhafaj, duke u shprehur se nuk ka asgjë të keqe që ka dalë në media për të kërkuar miratimin e këtij ligjit. Por, Fino i është përgjigjur me një batutë: “Mos e mbro se nuk kam gjë me vajzën e Koços dhe mos e mbro se është vajza e tij, se po të jetë për këtë, e kam unë më tepër mik Koçon”, - mësohet të jetë shprehur Fino. Ermira Danaj pak kohë më parë u zgjodh Koordinatore e Forumit të Gruas Socialistët nga Asambleja e këtij Forumi duke i dhënë fund krizës që ekzistonte prej dy vjetësh ne këtë forum që kur dha dorëheqjen Majlinda Keta. PS-ja e ka vuajtur herë pas here mungesën e koordinimit në komunikimet mediatike. Herë pas here drejtues të saj kanë artikuluar ide të cilat nuk ishin vendime të strukturave vendimmarrëse.

Prifti: Rama, peng i së djathtës, se ka dosje në prokurori

LSI-ja akuzon kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama, se është peng i së djathtës për shkak të një dosjeje që sipas tyre, është hapur nga Prokuroria e Përgjithshme. Akuza është bërë nga nënkryetari i LSI-së, Dritan Prifti, gjatë një takimi në Fier ku 340 anëtarë morën teserën e LSI-së, 100 prej të cilëve ishin anëtarë të PS-së. Por prifti nuk bëri të ditur se për çfarë dosjeje bëhej fjalë. Akuza e Priftit bëhet duke parë marrëveshjet e shpeshta të Ramës me PD-në për çështje të rëndësishme, siç ishte ajo e ndryshimeve në Kushtetutë. Ndërsa kreu i LSI-së, Ilir Meta, gjatë këtij takimi me elektoratin, e ka cilësuar Bashkinë e Fierit, që drejtohet nga socialistët si të paaftë dhe më të korruptuarën në vend. Ndërkohë që Prifti ironizoi edhe “vjedhjen” e anëtarësisë së LSI-së nga PS-ja. “LSI-ja me këto ritme që po ecën është e aftë të përballojë çdo sfidë jo vetëm zgjedhjet e ardhshme parlamentare që ne do të jemi fitimtarë në zgjedhjet e 2009-ës, por në LSI një bie dhe qindra ngrihen”, - tha ai. Anëtarët e rinj që janë bashkuar me LSI-në e çojnë në më shumë se 700 numrin e anëtarëve të LSI-së vetëm në njësinë e LSI-së në qytetin e Fierit. Midis atyre që u anëtarësuan dje rreth 100 ishin anëtarë të Partisë Socialiste, që kanë braktisur këtë parti. Madje njëri prej tyre ka qenë edhe anëtar i kryesisë së PS-së në qytetin e Fierit. Në këtë kuadër Meta u shpreh optimist për suksesin e koalicionit "E majta për Integrim" në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Më pas, duke u ndalur në situatën më të fundit politike në vend, Meta u ndal tek kriza institucionale që po përjeton sot vendi pas bllokimit të dekreteve të Presidentit të Republikës për anëtarët e Gjykatës së Lartë. “Partia Socialiste, - tha Ilir Meta - është kthyer në një nën kontraktore të Berishës për të sulmuar institucionet”.

Rama kërkon ekspertizë në Bruksel për programin e ri të PS-së

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, së bashku me ekipin e programit të PS-së kanë nisur sot një tur takimesh me zyrtarë të lartë të Bashkimit Evropian në Bruksel. I shoqëruar nga anëtari i kryesisë, Arben Malaj, nga drejtori ekzekutiv i fondacionit “Qemal Stafa”, Saimir Tahiri, nga nënsekretarët e programit, Ilir Beqja dhe Ervin Bushati, nga kryetarja e Komisionit të Arsimit, Ledi Shamku, si dhe nga nënkryetari i Komisionit të Bujqësisë, Rezar Kola, kryetari i PS-së do të zhvillojë takime sipas një axhende të ngjeshur, takime në të cilat do të diskutohet për aspektet e veçanta të programit dhe koordinimin me prioritetet e Bashkimit Evropian. Siç bën të ditur zyra e shtypit, këto takime do të shërbejnë për të shkëmbyer eksperiencën e specialistëve të BE-së me ekipin që po harton programin e PS-së. Dje paradite, Rama u takua me z. Pierre Mirel, drejtori i Drejtorisë së Zgjerimit për Shqipërinë, Bosnjën, Serbinë, Malin e Zi dhe Kosovën. Në këtë takim merrte pjesë edhe z. Dirk Lange, drejtori i Njësisë për Zgjerimin pranë Komisionit Evropian për Shqipërinë. Takimet e ekipit të programit vazhduan mz. –së për bujqësinë dhe prioritetet e BE-së.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›