E Shtunë, 31 Tetor 2026

Verifikimi i titujve të pronësisë,ligji kthehet për të katërtën herë



Kuvendi ngec përsëri tek projektligji i debatuar. Mungesa e deputetëve në sallë ka bërë që projektligji për verifikimin e titujve të pronësisë të ridiskutohet nga e para

Kuvendi ka ngecur për të katërtën herë ditën e djeshme në lidhje me miratimin e projektligjit për verifikimin e titujve të pronësisë. Mungesa e deputetëve në sallë bëri që ky projektligji tepër i debatuar të kthehet edhe një herë për t’u ridiskutuar në Kuvend duke marrë vetëm kalimin në parim. Projektligji do të ridiskutohen nen për nen. Sipas amendimeve, të gjithë fermerët të cilët kanë marrë më shumë tokë bujqësore se ç’u takon me ligjin 7501 dhe që këtë tokë e kanë shitur ose braktisur, do të duhet që ta paguajnë me vlerën e tregut. Partia Demokratike dhe ajo Socialiste kanë arritur paraprakisht që të kenë një mirëkuptim në lidhje me pikën më kryesore, si do të ligjërohen tokat që janë marrë me këtë ligj në mënyrë të padrejtë. Pika e vetme ku deputetët e opozitës kanë kundërshtuar ka qenë fakti se Komisioni Vendor do të drejtohet nga prefekti i qarkut, çka nga kompetencat që do të ketë ky komision, opozitarët i tremben abuzimeve të reja. Mazhoranca ka kundërshtuar duke thënë se komisionet do të kontrollohen nga Komisioni Qeveritar i Tokës i cili drejtohet nga zëvendëskryeministri, çka do të bëjë që vendimet e Komisioneve Vendore do të kontrollohen.

Neni numër 9 i këtij projektligji ka qenë edhe pika më e debatuar pasi përcaktonte tri mënyra të ligjërimit të tokës. Ai ka pësuar ndryshime, duke vënë thelbin e tij në idenë se personi që ka zaptuar tokën do ta paguajë me vlerë tregu, vetëm kur toka nuk është në përdorim ose është shitur. Në rast se fermeri që ka marrë më shumë tokë dhe e punon akoma, ai nuk do të penalizohet.

Komisioni mund ta cilësojë si të jashtëligjshme tokën kur akti i marrjes së tokës në pronësi është lëshuar mbi tokat bujqësore të ish-Ndërmarrjeve Bujqësore të cilat përjashtohen për kalim në pronësi nga dispozitat e ligjit, kur tokat bujqësore të ish-kooperativave, që shtrihen në zonën me zhvillim dhe përparësi turistike të përcaktuar me vendim qeverie, si dhe sipërfaqe të tjera të tokës bujqësore që me vendime të organeve kompetente kanë kaluar në tokë urbane dhe përfshihen brenda vijave të qyteteve. Njëkohësisht komisionet vendore mund të cilësojnë si të jashtëligjshme çdo sipërfaqe toke, te e cila konfirmohet njohja e pronësisë dhe e drejta e kompensimit fizik për ish-pronarët nga AKKP-ja, si dhe çdo sipërfaqe toke që preken interesa të ligjshme të personave të tretë dhe që ekzistojnë konflikte mbi të. Kur mbajtësi i titullit të pronësisë, ose pronari i ri i tokës, të krijuar në mënyrë të kundraligjshme refuzon ligjërimin e këtij titulli sipas ligjit, brenda 30 ditëve, Komisioni Vendor merr vendim për pavlefshmërinë e titullit të pronësisë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›