Propozimi i PD-së për ndryshimin e Rregullores së Kuvendit
I. Në nenin 111 bëhen këto ndryshime:
a. Pika 3 ndryshohet si më poshtë:
"3. Me paraqitjen e kandidaturave, Kryetari i Kuvendit ia kalon ato menjëherë komisionit përkatës, i cili brenda tri javëve nga marrja e kërkesës i shqyrton ato dhe harton raportin përkatës"
b. Pika 6 ndryshohet si vijon:
"6. Në rastet kur në Kushtetutë parashikohet dhënia e pëlqimit nga Kuvendi, Kryetari i Kuvendit ia kalon kërkesën menjëherë Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtave të Njeriut, i cili e shqyrton atë dhe harton raportin përkatës brenda tri javëve. Kuvendi shqyrton kërkesën për dhënien e pëlqimit brenda 7 ditëve nga data e paraqitjes së raportit të komisionit".
c. Pas pikës 6 shtohet pika 7 si më poshtë:
"7. Komisioni përkatës, brenda afateve të përcaktuara në këtë nen dhe pasi ka marrë miratimin me shkrim të personit të propozuar, shqyrton si përmbushjen e kushteve formale, kushtetuese e ligjore, ashtu edhe meritën e çdo kandidature duke u bazuar ne kritere të matshme dhe objektive. Për të garantuar cilësinë e përzgjedhjes dhe rolin substancial të Kuvendit në këtë përzgjedhje, komisioni bashkëpunon me institucionet shtetërore dhe publike për të zgjeruar të dhënat për çdo kandidat, bashkëpunon dhe/ose kryen konsultime me institucionet përkatëse dhe rrethet profesionale. Për të rritur transparencën dhe ndihmesën e publikut në përzgjedhje, Komisioni organizon seanca dëgjimore publike me secilin kandidat. Përfundimet e nxjerra nga ky proces shqyrtimi i përcillen Kuvendit për të vendosur miratimin ose jo të çdo kandidature të propozuar"
ç. Pas pikës 7 shtohet pika 8 si vijon:
"8. Paraqitja e kandidaturave për zgjedhjen në organet kushtetuese ose të krijuara me ligj dhe dhënia e pëlqimit nga Kuvendi përfshihen automatikisht në kalendarin e punimeve të Kuvendit. Seanca zhvillohet me debat nëse e kërkojnë 10 deputetë ose një grup parlamentar".
Relacioni
Të nderuar deputetë.
Mbështetur në nenin 81, pika 1 të Kushtetutës së Republikës dhe nenin 117 të
Rregullores së Kuvendit paraqes nismën ligjvënëse për disa shtesa dhe ndryshime në nenin 111 të Rregullores së Kuvendit. Përmbajtja e kësaj nisme synon plotësimin e një boshllëku në Rregulloren e Kuvendit për sa u takon procedurave të shqyrtimit të kandidaturave të anëtarëve të organeve kushtetuese apo të krijuara me ligj, të cilat zgjidhen apo jepet pëlqimi nga Kuvendi i Shqipërisë. Kjo nismë i jep Kuvendit të Shqipërisë instrumentet e nevojshme që të përmbushë të drejtën dhe detyrimin kushtetues të shqyrtimit të plotësimit të kritereve formale por sidomos meritën e kandidatëve të propozuar, siç përcaktohet në vendimin nr. 2, datë 18.1.2005 të Gjykatës Kushtetuese. Në këtë kuptim propozohet organizimi i seancave dëgjimore të kandidatëve përpara komisioneve përkatëse në rastin e zgjedhjes apo dhënies së pëlqimit nga Kuvendi sikurse parashikohet edhe bashkëpunimi i Kuvendit me institucione të tjera për marrjen e informacioneve legale mbi aspekte të rëndësishme të figurës së kandidatit, integritetit të tij, rezultateve profesionale dhe meritës së tij. Kjo nismë respekton pozicionin kushtetues të Kuvendit të Shqipërisë dhe siguron përmbushjen e përgjegjësive të tij përballë publikut për të realizuar një proces shqyrtimi të kandidaturave të hapur dhe transparent. Nisma mundëson rritjen e bashkëpunimit ndërinstitucional të Kuvendit me institucionit e tjera kushtetuese për përmbushjen e obligimeve të përbashkëta në emërimin e disa anëtarëve të organeve kushtetuese. Në këtë nismë vendosen afate të përcaktuara për kryerjen e procedurave parlamentare si nga Komisionet e Kuvendit ashta edhe nga Seanca Plenare.
Kjo nismë është në harmoni të plotë me nenet e tjera të Rregullores së Kuvendit.