Basha: Gati për më shumë trupa në Afganistan
Pa mundur të fshehë emocionet, edhe pse këto emocione i ka përjetuar dhe në vit më parë në Bukuresht kur Shqipëria mori ftesën zyrtare për të qenë aleate e NATO-s, ministri i Jashtëm, Lulzim Basha, e ka cilësuar këtë çast si historik. Duke folur nga Strasburgu, ku do të mbahet sot takimi zyrtar i NATO-s, Basha ka bërë të qartë se Shqipëria, si aleatja më e re e kësaj aleance, do t’i përgjigjet pozitivisht kërkesës së SHBA-së për më shumë trupa, ndërkohë që shumë vende të NATO-s nuk do ta bëjnë këtë gjë. “Shqipëria është gati të dërgojë trupa shtesë në Afganistan dhe pritet që këtë gatishmëri ta konfirmojë edhe në samitin e NATO-s në Baden Baden”, - tha Basha në një prononcim për VOA. “Ne kemi bërë një konfirmim zyrtar ndaj qeverisë amerikane. Në takimin që Kryeministri Berisha zhvilloi me zonjën Klinton premtoi dërgimin e një kontigjenti shtesë. Gjithashtu, ky konfirmim do të bëhet edhe ditën e nesërme”, - ka deklaruar Basha. Më tej, i pyetur për avantazhet dhe detyrimet që i vijnë Shqipërisë, shefi i diplomacisë ka nënvizuar se vendi fiton një kredibilitet kundrejt komunitetit ndërkombëtar. “Hyrja e Shqipërisë në NATO afirmon vendin tonë si një vend pro demokracisë, me institucione të konsoliduara dhe liri të tregut. Shqipëria fiton një kredibilitet të pagëzuar më parë në sy të ndërkombëtareve”, - ka shtuar Basha. Ndërkohë, në intervista të tjera të dhëna dje në media, ministri i Jashtëm e ka cilësuar një ditë të madhe për Shqipërinë dhe shqiptarët. “Shqipëria në NATO duhet të na bëjë shumë krenarë, se përtej simbolikës të të qenit krah për krah vendeve më të suksesshme të planetit, Shqipëria ka përmbushur sigurinë dhe është hapur një kapitull i ri”, - u shpreh ai. Sipas tij, roli i Shqipërisë në rajon do të shumëfishohet.
Takimi i NATO-s, përleshje mes policisë dhe antiglobalistëve
Përleshje mes policisë dhe antiglobalistëve në Strasburg, në vigjilje të takimit të NATO-s që është parashikuar të bëhet më 3 dhe 4 prill. Policia ka përdorur gaz lotsjellës ndaj mijëra të rinjve që tentonin të shkonin në qendër të qytetit. Manifestuesit kanë kryer një sërë aktesh vandale, ndërkohë që autoritetet kanë vënë në pranga qindra persona. Më shumë se 25 mijë trupa janë vënë në gatishmëri me rastin e takimit, shumica e të cilëve francezë dhe gjermanë. Ndërkohë që 10 mijë të tjerë mbrojnë zonat e kuqe dhe portokalli të qendrës së Strasburgut.