E Shtunë, 31 Tetor 2026

Basha, Gray-t: Pavarësia e SHBA-së, ditë feste për çdo qytetar të botës së lirë

04-07-2012 / Gazeta 55

Basha uron kryebashkiakun e Uashingtonit, Vincent Gray me rastin e festës së Pavarësisë


Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha i ka nisur një mesazh urimi, Kryetarit të Bashkisë së Washington DC, me rastin e festës së Pavarësisë. Në mesazhin e urimit drejtuar homologut të tij, Basha theksoi se 4 korriku është një ditë feste për çdo qytetar të lirë të botës pasi deklarata e pavarësisë është shembull frymëzues për të gjithë popujt. “I dashur Kryetar i Bashkisë së Washington DC, Vincent Gray, Me një kënaqësi të veçantë, dua t’Ju përcjell në emrin tim dhe të të gjithë qytetarëve të Tiranës, përshëndetjet më të përzemërta në këtë ditë të madhe të Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, aleatit më të madh që kombi shqiptar ka njohur në tërë historinë e tij. Deklarata e Pavarësisë, e nënshkruar më 4 korrik 1776 përbën një prej dokumenteve më të rëndësishëm, në të cilin janë sanksionuar të drejtat sublime të njerëzimit. Kjo deklaratë, ku janë mishëruar parime të përjetshme i bëri SHBA një shembull frymëzues dhe një mbrojtës të fortë të  lirive dhe të drejtave të njeriut në çdo vend të globit, prandaj kjo ditë e Pavarësisë së SHBA është një ditë feste për ne dhe çdo qytetar të botës së lirë”- thuhet në mesazhin e kryebashkiakut Lulzim Basha. Qytetari i parë i Tiranës vlerëson se kombi shqiptar i është mirënjohës mikut të madh, SHBA-ve për mbështetjen që i ka dhënë përgjatë gjithë historisë. “Qytetarët e Tiranës dhe mbarë kombi shqiptar u janë përjetë mirënjohës SHBA, për ndihmën dhe mbështetjen e jashtëzakonshme që na kanë dhënë përgjatë gjithë historisë tonë, si kur diskutohej fati i ekzistencës tonë ashtu edhe më pas, në instalimin e parimeve të lirisë dhe demokracisë që ju mbroni fort apo në procese të tjera të zhvillimit të vendit dhe integrimit në strukturat euro-atlantike. Ndaj më lejoni që në këtë ditë të madhe për kombin tuaj, t’ju shpreh Ju personalisht dhe qytetarëve të Washington DC urimet më të mira dhe t’ju siguroj për vendosmërinë dhe angazhimin tim, për të konsoliduar edhe më tej bashkëpunimin mes dy kryeqyteteve, Tiranës dhe Washington DC”- thuhet më tej në mesazhin e urimit të kryebashkiakut, Lulzim Basha drejtuar homologut të tij të Uashingtonit, Vincent Gray.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›