Kërpi industrial, Ambasada britanike: Të jepet drejtësia
Ambasada britanike në Tiranë ka reaguar sot në lidhje me seancën gjyqesore ndaj disa fermërëvve të Shkrelit në Malësinë e Madhe të cilët kultivonin kërpi industrial por akuzohen për kultivim të lëndëve narkotike. Në një deklaratë për shtyp, ambasada ka kërkuar dhënien e drejtë të vendimit në lidhje me këtë çështje duke theksuar se situata e krijuar kërcënon reputacionin e shoqatës britanike e cila e solli farën në Shqipëri.
"Ambasada Britanike e ka ndjekur nga afër çështjen si edhe dy çështjet e lidhura me të, që kur filluan në vitin 2001. Ne jemi shumë të shqetësuar që nuk është dhënë akoma një vendim. Drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar. Vazhdimi i kësaj situate të paqartë është thellësisht stresues për fermerët dhe familjet e tyre, dhe vazhdon të kërcënojë reputacionin e shoqatës britanike e cila solli farat e kërpit industrial në fillim. Kjo shoqatë britanike quhet "Partneritet për Zhvillim" dhe është e regjistruar zyrtarisht në Britani, dhe nuk ka asnjë dosje për ndonjë aktivitet të paligjshëm të asnjë lloji” thekson ambasada.
Më tej në deklaratën e saj, Ambasada britanike thekson se do të vazhdojë ta ndjekë ecurinë e kësaj çështje deri në fund, dhe shpreson të shikojë dhënien e drejtësisë sa më shpejt dhe në mënyrë të paanshme për të mirën e të gjithë atyre që janë prekur.
Ndërkohë 53 fermerë të cilët kultivonin Kerp industrial në zonën e thellë malore të Shkrelit akuzohen për kultivim të lëndëve narkotike.