Akuza e babait: Spitali donte të fshihte vdekjen e vajzës
Babai i Matilda Petritit rrëfeu dje në Gjykatë se i ishte ofruar një ambulancë e posaçme për të dërguar vajzën në Pogradec pa raport autopsie
"E mbështolla vajzën në një batanije dhe e dërgova vetë në morg, pasi personeli nuk pranonte ta dërgonte"
TIRANË- I zverdhur në fytyrë e me lot në sy, e i mbuluar nga djersët që i rridhnin ballit, ndërsa mundohej t'i fshinte herë pas here me një shami të bardhë që e mbante të shtrënguar në dorën e djathtë, babai i Matilda Petritit, 17- vjeçares që humbi jetën nga operimi i bajameve, akuzoi mjekët për vdekjen e së bijës.
I thirrur nga organi i akuzës me cilësinë e dëshmitarit të çështjes, Besim Petriti rrëfeu para gjyqtarit Artan Broci dhe të pandehurit Xhevahir Hoxhallari rrugëtimin e tij në datën 7 prill 2008, dita kur është operuar e bija, deri në mbrëmjen e datës 29 prilli të po atij viti kur nga hemorragjia ajo mbeti e vdekur.
Babai i vajzës, kërkoi dënimin e mjekut Hoxhallari për mjekimin e pakujdesshëm të vajzës së tij, ndërsa nuk ngurroi të lëshonte akuza edhe ndaj drejtuesve të pavionit të O.R.L-së në Qendrën Spitalore Universitare "Nënë Tereza" në Tiranë.
"Atë natë kam marrë vesh që vajza vdiq, kur erdhën tre fugonë policie. Drejtuesit e Spitalit më ofruan një ambulancë për ta dërguar vajzën në Korçë për ta varrosur, duke kërkuar të fshihnin rastin.
Nuk pranova, por, iu kërkova ambulancë të dërgoja trupin në morg. Nuk më kanë dhënë asnjë makinë, ku jam detyruar e kam mbështjellë vajzën me batanije, e kemi hedhur si një thes dru në bagazhin e një makine dhe e kam dërguar vetë në morg.
Mjekët ligjorë, më thanë se vajza ka vdekur nga gjakderdhja",-nënvizoi Besim Petriti në fund të dëshmisë së tij, ndërsa mjeku Hoxhallari nuk reagoi ndërsa dëgjonte rrëfimin. Ky ishte epilogu i rrëfimit të babait të vajzës së vdekur nga pakujdesia e mjekëve sipas akuzës së ngritur nga prokuroria, në procesin që zhvillohet ndaj mjekut Hoxhallari.
Ndërsa në seancën e djeshme, dëshmuan edhe tre mjekë nga spitali i Korçës, që kishin mjekuar disa herë vajzën, duke i ndalur gjakderdhjen.
Pacientja Petriti, është operuar më 7 prill në Pogradec pa anestezi (mpirje) dhe deri më 29 prill kur ndërroi jetë, duke pasur pesë herë gjakderdhje nga vendi ku mjeku Hoxhallari e operoi për bajamet. Babai i pacientes së vdekur, i cilësoi veprimet e mjekut Hoxhallari si neglizhente.
"Matilda ishte vajza ime e dytë dhe kishim vendosur ta operonim për bajamet në Pogradec te mjeku Xhevahir Hoxhallari. Pasi e vizitoi me 4 prill na caktoi datën 7 prill për operim. Vajza ka hyrë në sallë dhe gjatë gjithë kohës ulërinte e bërtiste nga dhimbjet, pasi ishte operuar pa anestezi.
Po atë ditë me urdhër të mjekut Hoxhallari e kam marrë vajzën nga klinika. Vajza ankohej për dhimbje gjithmonë dhe pas tre dite nga operacioni vajzës i plasi hemorragjia. I dilte gjak nga hunda e goja.
Asnjë mjek nuk i shërbeu Matildës në momentet e fundit të jetës
E dërguam në spitalin e Korçës, ku mjekët qenë gjithmonë të gatshëm dhe ma shpëtuan vajzën katër herë. Ia pastruan gjakun që ishte ngjizur dhe pas dy dite e mora në shtëpi. Tre ditë më pas, prapë vajzës i shpërtheu hemorragjia dhe sërish e dërguam në Korçë ku u mjekua. Po atë ditë prapë në darkë, vajza kishte hemorragji dhe mezi ia kanë ndalur doktorët e këtij Spitali.
Në mëngjes, e kam marrë në telefon mjekun Hoxhallari, ku ia kam shpjeguar gjendjen më tha sille në Tiranë. E sollëm me urgjencë dhe i thashë mjekut që "do shes shtëpinë, sa lekë do vetëm shpëtoma vajzën". Ai më tha, nuk ka gjë, e keni alarmuar kot situatën, vajza është mirë.
Pas katër dite e kam nxjerrë vajzën nga Spitali dhe u kthyem në shtëpi në Korçë. Pas një jave, vajzës i shpërtheu prapë hemorragjia, e dërguam në Spitalin e Korçës, e mjekuan dhe pasi folëm në telefon me këtë zotërinë jemi nisur për në Tiranë vetëm edhe se na premtoi se do vinte me ne në urgjencë, por nuk erdhi. Kur erdhëm në Tiranë, Hoxhallari e urdhëroi të ngrihej e të ngjitej vetë në katin e dytë, pavarësisht gjendjes së rëndë në të cilën ndodhej.
I kërkova ta mbajë në reanimacion sepse nuk ishte mirë, por Hoxhallari refuzoi. Nga ora 19:30 e mbrëmjes vajzës i plasi hemorragji, por asnjë mjek apo infermiere nuk erdhi dhe ajo vdiq",-tha me lot në sy babai i 17- vjeçares së vdekur tashmë, ku në sallën e gjyqit ndodhej edhe nëna e saj, e cila qante gjithmonë".