E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sekuestrohen 39 mjete të trafikuara

Operacioni "Targa e Falsifikuar", bllokon 380 mjete me mangësi në dokumentacion, xhama të zinj e falsifikim


TIRANE- Sekuestrohen 39 autovetura nga Policia, të dyshuara si të vjedhura apo me dokumente të falsifikuara gjatë operacionit të koduar "Targa e Falsifikuar".


Lajmi është bërë i ditur nga burime zyrtare të Drejtorisë së Policisë së Shtetit, gjatë ditës së djeshme në përfundim të operacionit të Task- Force-s, i koduar me emrin "targa e falsifikuar", ndërsa në të janë përfshirë policia lokale e qarqeve, sektorët e Antitrafikut, të Antikrimit Ekonomik, Policisë Kufitare dhe Policisë Rrugore.


Sipas njoftimit të policisë ndërhyrja e policisë ishte përqendruar në drejtim të identifikimit të mjeteve që mund të ishin të trafikuara të zhdoganuara me dokumente të falsifikuara, apo që kishin dokumente të tjera të automjetit të falsifikuara.


Në përfundim të operacionit antitrafik, policia ka sekuestruar në total 39 automjete të llojeve të ndryshme, me qëllim për t'u verifikuar pasi rezultonin të kishin probleme në dokumentacion, ndërsa në total blutë kanë kontrolluar 2700 mjete nga të cilat 1600 ishin me targa të huaja.


Në përfundim të operacionit, veç 39 automjeteve të sekuestruara me dyshimin se ishin të vjedhura apo me dokumentacion të parregullt, me qëllim verifikimin e mëtejshëm të tyre, policia ka bllokuar edhe 380 automjete të tjera të cilat kishin probleme me gjobat apo me probleme teknike.


Mjetet, sipas njoftimit të policisë që kanë rezultuar të dyshimta apo që nuk korrespondonin në të dhënat e tyre janë sekuestruar pas kontrolleve të kryera në sistemin TIMS, apo në të dhënat e Drejtorisë së Doganave apo të Shërbimit të Transportit Rrugor.


Nga verifikimet janë evidentuar 47 raste që qarkullonin në territorin shqiptar me targa të huaja, të cilat nuk figuronin të regjistruara në kufirin shqiptar. Këto automjete janë bllokuar dhe janë kryer verifikimet nëse janë të trafikuara, apo me shmangie të detyrimeve doganore apo shkelje të tjera ligjore.


Ndërkaq, mjetet e sekuestruara nga policia rezultojnë se janë të vjedhura dhe më pas të trafikuara në vendin tonë. Më shumë automjete të dyshuara si të trafikuara janë sekuestruar në Tiranë, e më pas në Durrës e Fier.


Gjithashtu policia ka bllokuar 10 automjete me dokumentacion të falsifikuar, për të cilat janë kryer veprimet procedurale për veprën penale të "Falsifikimit të formularëve stampave dhe vulave". Po kështu është vendosur pezullimi i lejes së qarkullimit në 7 raste për mjete të veshura me xhama të zinj, etj.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›