Basha: Ja plani për uljen e çmimeve abuzive
TIRANË- Kandidati i mazhorancës për Bashkinë e Tiranës, Lulëzim Basha, ka premtuar dje se Bashkia nuk do të qwndrojë më indiferente ndaj rritjes së çmimeve.
“Sot paradite isha në Bashkinë e Kamzës. Kam blerë të njëjtën bukë 800 gram, për 60 lekë. Kjo është buka që kam blerë për 60 lekë dhe kjo është buka që bleva këtu për 80 lekë. Dëfrimi (furrëtari) më tha që edhe ai donte të shiste bukën me 60 lekë po të kishte mundësi, por taksat bashkiake këtu janë disa herë më të larta se në bashkitë dhe komunat përreth Tiranës. Bashkia nuk duhet të jetë arsyeja pse tregtarët rrisin çmimet. Ulja e taksave 2 deri në 5 herë, eliminimi i 60 prej taksave dhe tarifave vendore, do të ketë një impakt të drejtpërdrejtë në normalizimin e çmimeve, që ka të bëjë direkt me xhepin e të gjithë qytetarëve të Tiranës“, - tha Basha. Ai bëri të ditur se në programin e tij, përveç uljes së taksave, parashikohet edhe ngritja e Agjencisë për Mbrojtjen e Konsumatorëve. “Një arsye e fortë për rritjen e çmimit janë spekulantët. Përballë këtij realiteti, bashkia nuk mund të rrijë duarkryq. Ndaj plani im është ngritja e një agjencie bashkiake për mbrojtjen e konsumatorit, e cila do të investigojë, madje hulumtojë tregjet, pikat e shitjes, marketet kudo në Tiranë. Bashkia nuk do të ndërhyjë në mekanizmin e tregut të lirë, por Bashkia nuk do të flejë më gjumë, ndërkohë që qytetarët shkundin xhepat e tyre për të blerë produktet më të nevojshme për jetën“, - u shpreh Basha. Kandidati për Bashkinë e Tiranës bëri me dije se kontrollet që do të ushtrojë kjo agjenci do të bëhen publike për qytetarët, në mënyrë që edhe ata të njihen me abuzuesit, por edhe me shkaqet që çojnë në rritjen e çmimeve.