Xhaferraj premton unazën, Dako mbledh ulqinakët
Kandidatët për Bashkinë e Durrësit vijojnë fushatën elektorale për zgjedhjet e 8 majit. Ferdinand Xhaferraj, teksa takoi banorët e lagjes 7, tha se unaza ishte një ndër projektet madhore të programit të tij. “Ky është një projekt madhor dhe do të realizohet brenda mandatit”, tha Xhaferraj. Rruga është parashikuar të jetë 15 metra e gjerë dhe kalon përmes kësaj zone. Sipas Xhaferrajt, unaza do të ndihmojë jo vetëm zhvillimin ekonomik të zonave ku ajo kalon, por dhe të gjithë qytetit. “Historikisht, qyteti i Durrësit është zhvilluar në mënyrë lineare dhe kjo gjë e ka kufizuar ndjeshëm atë”, tha Xhaferraj, sipas të cilit, unaza i jep Durrësit shansin të zhvillohet në mënyrë rrethore, që të mos jetë i kufizuar. “Kjo rrugë do t’i shërbejë patjetër zhvillimit të zonave ku ajo kalon, por jo vetëm atyre. Unaza e madhe, që do të ndërtohet do t’i japë shtysë zhvillimit të të gjithë qytetit, ndërkohë që zgjidh mjaft prej problemeve që kanë të bëjnë me transportin, tregtinë, turizmin, etj”, theksoi Xhaferraj. Sakaq rivali i tij Vangjush Dako ka pasur si lajtmotiv “Dita e Ulqinit në Durrës”. Në vlerësim të kësaj nuk ka munguar një sesion shkencor me tematikë “Ulqini, historia dhe traditat”, si dhe ekspozita me piktorë mjaft të njohur ulqinakë. Sipas Dakos, forcimi i lidhjeve midis shqiptarëve në të dy anët e kufirit, si dhe shkëmbimi i përvojës në fushën e turizmit është në themel të këtij bashkëpunimi. Kryebashkiaku nga ana tjetër ka vlerësuar posaçërisht kontributin e komunitetit ulqinak në Durrës në zhvillimin e qytetit, rritjen e vlerave të bashkëjetesës, si dhe forcimit të marrëdhënieve në plan kombëtar dhe lokal mes Durrësit dhe Ulqinit.