Berisha-Ramës: Shqiptarët nuk kanë nevojë për rrugën tënde
KORÇE- Kryeministri Sali Berisha ishte dje në Korçë, për të premtuar se në katër vitet që vijnë, Korça do të njohë transformimet më të mëdha me Andrea Manon si kryetar bashkie. Berisha prezantoi kandidatin e koalicionit “Aleanca për Qytetarin” për Bashkinë e Korçës, Andrea Mano, duke premtuar se qeveria që ai drejton do të mbështesë çdo projekt që qytetarët e Korçës do të propozojnë. “Në këto vite, në Qarkun e Korçës janë ndërtuar 380 km rrugë dhe janë investuar 150 milionë euro, nga të cilat 140 km janë realizuar me grantet konkurruese të qeverisë, janë ndërtuar 45 km me Fondin Rural të Zhvillimit, janë ndërtuar 165 km rrugë kombëtare, investuar gjithsej 135 milionë... Jam këtu për t’u angazhuar para jush se, me Andrea Manon, do të rindërtojmë qendrën e Korçës, do ta shndërrojmë atë në një nga qendrat më tërheqëse turistike, në një nga nyjet më të zhvilluara të tregut, do ta shndërrojmë ashtu siç ishte; krenaria e Korçës dhe e korçarëve”, - tha dje Berisha. Kryeministri shtoi se, qeveria po investon në të gjitha drejtimet, duke kujtuar se me rrugët e reja që po ndërtohen, si autostrada Tiranë- Elbasan, autostrada Qukës- Qafë Plloç, distanca Korçë – Tiranë, nga 185 km zvogëlohet në 125 km. “Në Aleancën tonë për qytetarin, ne kemi vendosur në epiqendër të përpjekjes sonë, të alternativës sonë, që të jetë qytetari, hallet, problemet, dertet, punësimi, zhvillimi dhe mirëqenia e tij. Ndaj dhe kjo fushatë është betejë për rrugë më të mira për ju, është betejë për parqe më të mira për ju, për punësim më të madh për ju, për shkolla më të mira për fëmijët tuaj, për tregje më të mira për ju. Kjo është beteja në të cilën ju, së bashku me qeveritarët tuaj vendorë të ardhshëm, do të hartoni qindra e mijëra projekte me të cilat ne do të ndërtojmë Korçën e Shqipërinë, vendi më i zhvilluar në 2017”, - tha Berisha. Kryeministri e kishte një kërkesë edhe për opozitën. “Ftoj opozitën të votojë ligjin e amnistisë. Të mos harrojë se biznesi ka votuar e voton gjithmonë për Shqipërinë, se biznesi është gjeneratori kryesor i punësimit, i të ardhmes së qytetarëve shqiptarë. Ndaj, le të votojmë së bashku ligjin për të amnistuar detyrimet e tyre, sepse janë ata që me gjeninë e tyre krijuese, me sakrificën e tyre, me mundimin e tyre, së bashku me reformat e qeverisë, bënë që Shqipëria, nga një vend me ekonomi të falimentuar, të qëndrojë sot si një vend me një ekonomi që vrapon”, - tha ai. Berisha ironizoi edhe sloganin e opozitës “E vetmja rrugë”. “Zoti Rama ka risjellë në skenën politike shqiptare në këto zgjedhje, hijen e vjetër të rrugës së vetme dhe kërkon t’ju bindë, qytetarë të mençur të Korçës e mbarë Shqipërisë, se rruga e tij e vetme, rruga e tij pa kthim, rruga e tij e vetmisë, qenka rruga juaj, rruga më e mirë. Le t’i themi këtu se secili prej nesh, burra dhe gra në këtë sallë, burra e gra të mbarë Shqipërisë, ka rrugën e vet dhe nuk ka nevojë për rrugën tënde dhe mos tento kurrë t’i marrësh tjetrit rrugën, sepse çdo njeri zgjedh rrugët që do”, - tha ai. Ndërkaq kandidati i mazhorancës, Andrea Mano, theksoi se qyteti më i veçantë i Shqipërisë do të jetë përherë i tillë, si rezultat i një qeverisje të mirë që do të ofrojë mazhoranca aktuale. “Do të angazhohem në mënyrë të pakursyer për t’i shërbyer komunitetit. Korça është në një moment të vështirë, për faj të gabimeve që ka bërë kryebashkiaku aktual. Nuk është kujdesur për të zhvilluar infrastrukturën, dhe korçarët janë larguar. Unë kandidoj sepse ky kryebashkiak nuk është në gjendje t’i japë Korçës atë që meriton, nuk mund të toleroj mungesën e përgjegjësisë dhe dua t’i rikthej Korçën qytetarëve”, - tha ai.
I.Vreto