E Diel, 1 Nëntor 2026

Basha: Jepen pasaporta me ritmin më të lartë në Ballkan

Duke vlerësuar faktin se brenda një periudhe të shkurtër që nga fillimi i procesit numërohen afro 220 mijë aplikime për pasaporta biometrike, 208 mijë prej të cilave tashmë janë prodhuar, Ministri Basha u shpreh se shpejtësia e këtij procesi është më e larta ndër vendet e rajonit.

“Nuk duhet të ketë asnjë dyshim se me këtë ritëm, ndoshta deri në tremujorin e parë të vitit tjetër, Shqipëria do të ketë numrin më të madh të pasaportave biometrike për frymë të lëshuara në rajon, duke tejkaluar edhe Maqedoninë që deri më tani është e para në këtë proces. Kjo është një dëshmi e qartë e suksesit të qeverisë shqiptare për të realizuar këtë kusht themelor për lëvizjen e lirë të qytetarëve shqiptarë në të gjithë vendet e Europës”, deklaroi Ministri Basha.

Ministri i Brendshëm u bëri thirrje ndërkohë të gjithë qytetarëve shqiptarë të aplikojnë sa më parë për pasaportë biometrike. “Investimi në një pasaportë biometrike është investimi më i sigurtë për lëvizjen pa viza individualisht si dhe  për të gjithë bashkëqytetarët shqiptarë. Sa më shpejt të aplikojnë për pasaportat biometrike, aq më e afërt do të jetë dita kur shqiptarët do të lëvizin pa viza në të gjitha vendet e Evropës”, tha më tej kreu i rendit.

Ministri Basha deklaroi gjithashtu se sipas udhëzimeve të kryeministrit Berisha, Ministria e Brendshme po punon për konsolidimin edhe më tej të këtij procesi me shtrirjen e tij edhe në përfaqësitë tona diplomatike në vendet ku emigracioni shqiptar është më i konsiderueshëm, për t’i ardhur në ndihmë edhe qytetarëve shqiptarë që punojnë e jetojnë jashtë vendit.

Ministri Basha theksoi se Ministria e Brendshme po plotëson hap pas hapi të gjithë detyrimet e saj për përfitimin e liberalizimit të vizave me BE. Në këtë kuadër po instalohen teknologjia dhe programet më të fundit për kufirin dhe policinë kriminale, të cilat komunikojnë online me Gjendjen Civile, duke i ofruar Shqipërisë sisteme të integruara nga më modernet në Europë.

                                                                                             

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›