E Shtunë, 31 Tetor 2026

Universiteti i Elbasanit 152 kuota bosh, rishikohet Durresi

09/10/2009  Ja shpërndarjet sipas degëve

ELBASAN- Në Universitetin e Elbasanit pas mbylljes së fazës së tretë të regjistrimeve numëron rreth 152 kuota të mbetura bosh në 19 degë, ndërsa në 3 degë kuotat janë mbushur. Kështu nga të dhënat e këtij universiteti degët më të preferuara janë përcaktuar dy degët e reja të sapohapura Teknologji Informacioni dhe Edukim Fizik duke shtuar degën e Historisë dhe Gjeografisë. Ndërkohë degë më pak të preferuara janë Gjermanisht, Frëngjisht dhe Parashkollor, të cilat kanë edhe më shumë kuota të lira. Gjithsesi për fazën e tretë mbeten ende degë që kanë një numër vendesh të lira dhe që presin përzgjedhjen e të rinjve nga formulari A3. Nga informacionet e marra pranë Drejtorisë Arsimore ende nuk ka mbërritur formulari A3, ndërkohë që interesi ka qenë i madh. Sipas të rinjve, plotësimi i formularit A3 do t’i japë mundësi atyre që të zgjedhin në degët ku ata kanë pasur dëshirë të shkojnë, por që për shkak të përzgjedhjes meritë-preferencë nuk janë bërë pjesë e listave të fituesve. Kjo fazë pritet të mbyllë përfundimisht edhe regjistrimin e studentëve para fillimit të vitit akademik në 12 tetor. Universiteti i Elbasanit ka propozuar për 2270 kuota, ndërsa aktualisht janë mbushur 2128 na tre fazat e regjistrimit. Ndërkohë ky universitet është duke u përgatitur për startin e Masterave të Nivelit të Parë në shumicën e degëve dhe Diplomave të Nivelit të Dytë në katër profile. L. Lleshi

Kuotat e mbetura bosh në Universitetin e Elbasanit

Fakulteti i Edukimit te shkolla e mesme e mjeshtërisë

Transferohet Universiteti i

Durrësit për në qendër të qytetit

Një nga tri fakultetet e universitetit “Aleksandër Moisiu” në Durrës duhet të transferohet për të vijuar studimet e larta në një tjetër vend. Tejmbushja e auditorëve dhe rritja e kuotave të pranimit gjatë këtij viti akademik ka detyruar rektoratin të mendojë për të gjetur hapësira të reja akomodimi për të rinjtë që do të regjistrohen për herë të parë. Zëvendësrektori Mithat Mema ka pohuar se është rënë në ujdi me Drejtorinë Arsimore rajonale të Durrësit për zgjidhje të përkohshme. “Fakulteti i Edukimit do të vijojë studimet në shkollën e mesme të mjeshtërisë sportive “Bernardina Qeraxhi” dhe në shkollën e mesme “Leonik Tomeo” në Durrës”,-ka bërë të ditur profesor Mema. Një vendim i tillë tashmë është miratuar edhe nga Ministria e Arsimit, e cila ka urdhëruar DAR në Durrës të kërkojë nga shkollat që të lirojnë mjediset për studentët. Që nga data 12 tetor 2009 e në vijim studentët e Fakultetit të Edukimit me degët e Anglishtes, Ciklit të Ulët dhe Ekspert procesi formimi do të duhet të frekuentojnë pasdite studimet e larta për shkak të mjediseve të pamjaftueshme që ka sot godina e universitetit “Aleksandër Moisiu” në Durrës. Vetëm në vitin akademik 2009-2010 do të marrin leksione në mjediset e reja 250 studentë, ndërsa ky numër është shumë më i lartë po të merret parasysh se Fakulteti i Edukimit të tri degët e saj ka afro 1000 studentë nga në tre kurset. Rektorati ka më se një vit që kërkon të zgjerojë hapësirat e saj, por çështja ka ngecur tek leja e ndërtimit dhe leja e sheshit të ndërtimit. Sipas zëvendësrektorit Mithat Mema, bëhet e ditur se universiteti ka gati projektin për shtimin e sipërfaqes së saj për auditorë e mjedise shtesë. Por çështja ka mbetur pezull edhe pse është kërkuar zgjerim në tokë publike dhe një gjë e tillë nuk do të kërkonte as shpronësime dhe as negociata të ndryshme. Këtë vit akademik në Universitetin e Durrësit do të ketë 850 studentë të rinj që do të frekuentojnë një nga tri fakultetet, atë të Edukimit, Ekonomi Administrim apo Shkollën e Lartë Profesionale. Edhe këtë vit numrin më të madh të pranimeve do e fitojnë dega e anglishtes me 100 studentë të rinj, dega Cikli i Ulët me 90 studentë dhe Ekspert Procesit të Formimit me 60 studentë. Mema ka theksuar se në dy shkollat e mesme gjithçka është gati dhe se një pjesë e stafit akademik është transferuar për t’u sistemuar para ditës së hënë, kohë e fillimit të procesit akademik për vitin e ri. Xh. Gradica

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›