E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Unë fitova, por zgjedhjet kanë shkelje

09/05/2011  Kreu socialist mes vlerësimit dhe kontestimit të procesit zgjedhor

Kryetari i Partisë Socialiste shfaqet në mbrëmjen e 8 majit si fitues i garës për kryesimin e Bashkisë së Tiranës. Njëkohësisht në këtë dalje publike, kreu socialist anatemoi rëndë.

Mënyrën se si u organizua procesi i votimit në rang vendi. Kështu, në konferencën për shtyp, Rama u përqendrua në dy momente, në atë të fitores së tij përballë kandidatit Basha, një fitore kjo e shtrirë për një pjesë të mirë të kandidatëve të “Aleancës për të ardhmen” në të gjithë vendin, si dhe në incidentet e ndodhura gjatë kohës kur sovrani votoi për përfaqësuesit e tij në pushtetin vendor.

Fitorja

Në daljen e tij të parë publike, pas përfundimit të procesit të votimit, përkatësisht rreth 22:50, kreu socialist, Edi Rama, deklaroi fitoren e PS në kryeqytet. Madje, sipas tij, fitorja më e bukur do jetë ajo e gjithë Shqipërisë. “Mirënjohje të gjithë atyre që na besuan dhe votuan nuk do zhgënjej asnjë. Edhe ata që s’na votuan për ne janë të barabartë dhe do t’ju shërbejmë për t’i treguar se rruga jonë është e vetja rrugë. Fitorja jonë në Tiranë është e qartë, mbetet të shihet vetëm thellësia e rezultatit. E bukur do të jetë fitorja në të gjithë vendin”, vuri në dukje Rama gjatë fjalës së tij.

Procesi

Kryetari i socialistëve u ndal dhe në incidentet e shënuara gjatë fazës së parë të këtij procesi, atë të votimit. Sipas tij, zgjedhjet ishin më të bukurat në ekran, por më të shëmtuarat në realitet. “Domosdoshmëri që puna e bërë deri tani nën një presion të shëmtuar të vazhdojë me ngulm me pasion të hekurt. Beteja vazhdon dhe është e qartë. Ne kemi detyrim në çdo cep të Shqipërisë të nxjerrim nga kutitë shprehjen e vullnetit të popullit sovran pa lejuar që rrugës ajo të cenohet apo deformohet. Presionet, kërcënimet, përpjeke të gjithanshme për të ushtruar të gjithë trysninë e pushtetit mbi shqiptarët që nuk ua kishin borxh oborrit të Saliut e Ilirit ishin prezente”, nënvizoi Rama. Madje, po në këtë linjë, kreu Rama shtoi se “media ka dëshmuar disa detaje anë e mbanë vendit, mjafton votimi i të burgosurve nëpër kryeqytet për të dhënë një pamje të faktit, se jo vetëm ishte një turp, por edhe se kundërshtarët ishin të vetëdijshëm për humbjen dhe të papërgjegjshëm për të garantuar procesin si përgjegjësit e vetëm për garantimin e tij, këto nuk e cenojnë, por e bëjnë më të çmuar fitoren tonë”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›