E Shtunë, 31 Tetor 2026

Basha: Kandidimi për në BE? Merita dhe barra është e jona

Diplomacia shqiptare mirëkupton sugjerimet e ndërkombëtarëve, por nuk do të bëjë hap prapa. Këtë qëndrim e bëri të qartë dje ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Lulzim Basha. Një ditë pas deklarimeve të komisionerit evropian për zgjerimin, Olli Rehn, Lulzim Basha vlerësoi se "vendimi ynë për të aplikuar në familjen e madhe evropiane mund të mos bëhet në një periudhë të kënaqshme, por ky vendim duhet marrë për të mos dëmtuar procesin dhe për të mos shkurajuar të gjithë ata që duhet dhe do të jenë në bllokun e 27 vendeve evropiane". Ne do të marrim përsipër meritat, vijoi Basha, nëpërmjet reformave që kemi ndërmarrë, por njëherësh edhe barrën e këtij anëtarësimi. Dy ditë më parë, Olli Rehn, bëri të qartë sugjerimin gjatë një komunikimi me mediat, në prag të takimit informal të ministrave të BE-së së Gymnich. "Pra, aplikoni kur të jeni me të vërtetë gati dhe mos e bëni vetëm për një veprim politik. Ja pse për shembull për Shqipërinë, këshilla ime është: ju lutem mos e konsideroni para zgjedhjeve parlamentare, pasi ky proces do të jetë një test kritik i stabilitetit tuaj demokratik", këmbënguli Olli Rehn. Ai sqaroi më tej qëndrimin ndaj vendeve si Shqipëria dhe Serbia, të cilave u thuhet që ta konsiderojnë këtë hap kur të jenë gati për të marrë përsipër detyrimet e procesit të anëtarësimit dhe të negociatave. "Mbi bazën e misioneve të ekspertëve, ne do të përgatisim raportet tani shpejt gjatë pranverës. Mbi bazën e këtyre raporteve, Këshilli mund të diskutojë dhe unë shpresoj që të marrë vendime mbi liberalizimin e vizave për vendet më të përparuara për sa u përket detyrimeve mbi çështjet e sigurisë, siç janë pasaportat biometrike dhe sistemi i kontrollit të integruar i kufijve", vlerësoi Rehn. Brukseli është shprehur qartë se procesi elektoral duhet t‘i përmbushë të gjitha kriteret e kërkuara ndërkombëtare për të qenë një hap drejt vlerësimeve pozitive. Disa ditë më parë, ishte ministri i Jashtëm çek, Karel Schwarzenberg, që i këshilloi Tiranës zyrtare të shtynte aplikimin për statusin e kandidatit në BE. "Nuk ka dyshim se presidenca çeke dhe ajo pasardhëse suedeze janë më të hapurat ndaj shtrirjes së BE-së në Ballkan. Nga ana tjetër, ne e konfirmuam solemnisht edhe sot që Shqipëria është e ftuar të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian", tha ai gjatë takimit me ministrin e Jashtëm të Shqipërisë, Lulzim Basha.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›