Takime me Stojanov dhe Bagabandi
Kryeministri Berisha priti dje ish-presidentin e Republikës së Bullgarisë, Petar Stojanov dhe ish-presidentin e Mongolisë, Natsagin Bagabandi, të cilët ndodhen në Shqipëri për të marrë pjesë në Forumin Ekonomik të Crans Montana-s që po zhvillon punimet në Tiranë. Bullgaria dhe Mongolia mbështesin rrugën që po ndjek Shqipëria drejt integrimit në NATO. Ish-presidenti i Republikës së Bullgarisë, Petar Stojanov, dhe ish-presidenti i Mongolisë, gjatë takimit me Berishën përgëzuan Kryeministrin për arritjet e Shqipërisë në fushën ekonomike dhe politike të kurorëzuara dhe me anëtarësimin në NATO në pak ditë. Kryeministri diskutoi me dy ish-presidentët mbi reformat e gjithanshme që do të thellohen edhe më tej në të ardhmen, si dhe procesin e vizave me këto dy vende. Kryeministri Berisha i garantoi ata se qeveria shqiptare do të realizojë me sukses objektivin tjetër të afërt, realizimin e zgjedhjeve të lira, transparente dhe në përputhje me standardet ndërkombëtare.