Basha: Kandidimi për në BE, brenda mandatit aktual të qeverisjes
Ministri i Jashtëm, Lulzim Basha me garancinë e tij për aplikimin e Shqipërisë në BE, brenda mandatit të qeverisjes së djathtë, ka hedhur poshtë çdo polemikë lidhur me kandidimin e Shqipërisë në BE. Këtë deklaratë shefi i diplomacisë shqiptare e dha gjatë vizitës në Dibër ku mori pjesë në festimet për 18-vjetorin e krijimit të degës së PD-së.
Ne do të aplikojmë kandidimin tonë për anëtarësim të plotë në Bashkimin e Evropian, brenda mandatit aktual të qeverisjes së djathtë, u shpreh Basha. Sipas tij, shqiptarët, në 28 qershor do të zgjedhin për të ecur përpara dhe jo për t'u kthyer pas. Në takimin me anëtarësinë e PD në Dibër dhe simpatizantë të kësaj force politike, shefi i diplomacisë shqiptare, u ndal gjatë dhe në punën që ka bërë kjo qeveri në afro katër vjet. Falë vullnetit politik dhe punës me përkushtim gjatë këtij mandati u bënë realitet një numër i madh premtimesh, si investimet në infrastrukturë, rritja e rrogave dhe pensioneve, u shpreh Basha. Ndër të tjera, ai përmendi edhe arritjet e fundit të vendit, i cili sipas tij është bërë i besueshëm dhe që për pak javë zë me dinjitet vendin e tij në NATO si anëtare me të drejta të plota. Falë këtij besimi dhe përkundër spekullimeve të politikës së bllofit, qeveria shqiptare do të aplikojë brenda këtij mandati për anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Dhe falë këtij besimi qeveria shqiptare po ecën e sigurt në procesin e heqjes së vizave për qytetarët shqiptarë dhe do ta kurorëzojë atë me sukses", tha Basha. Sipas tij, ndryshimi është realitet i prekshëm dhe jo gënjeshtra boshe si ato që emeton dhe marketon kryetari aktual i PS-së, duke shtuar se z. Rama "nuk përfaqëson të ardhmen, por të shkuarën e dhimbshme nga e cila shqiptarët u shkëputën përfundimisht më pak se 4 vite më parë"