E Shtunë, 31 Tetor 2026

Basha: Kemi plotësuar kushtet shtesë

Takimi BE dhe qeveria shqiptare diskutojnë për çështjen e azilit. Lohan: Vendet e Ballkanit, të ndihmojnë njëri-tjetrin

Shqipëria tashmë i ka plotësuar edhe kriteret shtesë për sa i përket liberalizimit të vizave. Kjo ishte deklarata që bëri dje ministri i Brendshëm, Lulëzim Basha, gjatë një konference të mbajtur me rastin e marrjes së presidencës së radhës të Iniciativës Rajonale për Migrimin, Azilin dhe Refugjatët nga ana e Shqipërisë. Sipas tij, tashmë vendi ynë ka një strategji për riatdhesimin e emigrantëve, bazuar edhe mbi vlerat financiare që kërkon ky proces. Por nga ana tjetër, ministri Basha theksoi se një rëndësi të veçantë kishte edhe lëvizja e lirë, pa viza dhe pa tarifa e qytetarëve të Ballkanit. Sipas tij, në presidencën e Iniciativës Rajonale për Migrimin, Azilin dhe Refugjatët, Shqipëria do të synojë pikërisht sigurimin e kësaj lëvizjeje të lirë fillimisht me gadishullin tonë. “Synimi ynë kryesor është të përcaktojmë brenda një kohe të shkurtër një kalendar realist për arritjen e ‘Shengen’-it ballkanik, lëvizjes së lirë të qytetarëve të të gjithë vendeve tona pa barriera administrative, kufitare dhe tarifore. Prioritet madhor mbetet forcimi i kontrollit të kufijve për të siguruar një rajon me kufij të papenetrueshëm nga krimi transkufitar dhe transkombëtar, një rajon i cili eksporton vetëm siguri drejt vendeve të BE”, deklaroi Basha. Por sipas tij, rëndësi të veçantë kishte që në këtë iniciativë ballkanike të përfshihej edhe shteti i ri i Kosovës, pavarësisht njohjes së pjesshme që ky vend kishte në Ballkan. Të njëjtin qëndrim e mbështeti dje edhe ambasadori i Komisionit Europian në Shqipëri, Helmut Lohan. Sipas tij, Kosova nuk është jashtë konsideratës së Bashkimit Europian dhe sapo ky vend të mbushë kriteret e caktuara, edhe qytetarët e saj do të jenë të lirë të lëvizin në hapësirën “Shengen”. “Synimi i presidencës shqiptare të MARRI-t për të krijuar kushtet për heqjen e pengesave të lëvizjes së lirë në rajon, për të krijuar një zonë të ‘Shengen’-it ballkanik, padyshim që mund të duket ambicioz. Shumë shpejt, shumë vende të rajonit do të përfitojnë udhëtim pa viza drejt vendeve ‘Shengen’ dhe kjo përfshin sigurisht që të gjitha këto vende të përmbushin të njëjtat standarde, por jo vetëm ato standarde në fushat e sigurisë së dokumenteve dhe të kufijve”, deklaroi Lohan. Sipas tij, në këtë mënyrë vendet e Ballkanit ndihmojnë njëri-tjetrin.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›