E Diel, 1 Nëntor 2026

OSBE dhe KQZ nisin debatin për komisionerët në zgjedhje

Tryeza Kodi Zgjedhor, ambasadori Bosch pritet të flasë për administrimin

Në mungesë të vullnetit të partive kryesore për administrim jopolitik të procesit zgjedhor, prezenca e OSBE në Shqipëri së bashku me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve ka propozuar një ide të re; komisionerët profesionistë. Bëhet fjalë për anëtarët aktualë të komisioneve të zonës së administrimit zgjedhor, njerëz me përvojë në çështjet elektorale, që edhe pse të caktuar nga subjektet politike mund të sigurojnë një cilësi të re të administrimit nëse emërimi i tyre do të jetë konstant dhe trajnimi i vazhdueshëm dhe jo vetëm në periudhë zgjedhore. Forumi i komisionerëve zgjedhorë, si organizëm që synon të mbledhë anëtarët e komisioneve për instruktime periodike apo edhe angazhim në çështjet zgjedhore është thelbi i nismës që do të zërë fill nesër dhe që përbën ndoshta hapin e parë të reformës së re zgjedhore. Me pjesëmarrjen e kreut të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Arben Ristani dhe drejtuesit të Prezencës së OSBE-së në Tiranë, Robert Bosch, por edhe disa prej krerëve të KZAZ nga e gjithë Shqipëria, aktiviteti në fjalë parashikon diskutime si për të ardhmen ashtu edhe për problematikat e vërejtura në qershorin e 2009. Rëndësia e tij qëndron në faktin se ndoshta për herë të parë sugjerimet dhe çështjet zgjedhore trajtohen në nivelin e protagonistëve të vendimmarrjes elektorale, duke e zgjeruar sferën e debatit publik përtej skenës politike. Pavarësisht sfondit partiak që përfaqësojnë komisionerët, në një masë të madhe ata janë njerëz që riciklohen në detyrat drejtuese përgjatë proceseve zgjedhore, duke ndërtuar kështu vetiu një përvojë e cila ndikon në cilësinë e menaxhimit. Kështu edhe në zgjedhjet e fundit, qoftë për shkak të teknologjisë, qoftë për shkak të riorganizimit në procesin e numërimit, administrimi elektoral dha shenja të një ecje përpara, të paktën në ditën e votimit. Ashtu sikurse është thënë edhe më parë, ndërrimi i komisionerëve apo pjesëtarëve të grupeve të numërimit, apo mosemërimi i tyre duke shkelur afatet ligjore, më shumë se papërgjegjshmëri është vlerësuar si taktikë elektorale që fsheh qëllime politike. Për më shumë që kjo sjellje e dy partive të mëdha, ka një faturë financiare të lartë; kështu ndryshimi i personave që administrojnë procesin shpërfill në një masë të madhe trajtimin profesional të organizuar nga KQZ, për të cilin në përgjithësi shpenzohen kohë dhe mjete financiare. Nëse merret parasysh se shifra prej 20 000 komisionerësh i përket vetëm PS, atëherë mund të kuptohet se kontrolli profesional mbi një proces që përfshin më shumë se 50 000 komisionerë të gjitha ngjyrave politike vështirësohet shumë.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›