E Shtunë, 31 Tetor 2026

Basha: Kërkesë zyrtare në Vjenë për reduktimin e rolit të OSBE-së

Misioni i OSBE-së në Shqipëri tani e tutje pritet të asistojë vetëm për çështjet zgjedhore dhe ato të drejtësisë. Qeveria shqiptare në këtë mënyrë konkretizon hapin e parë për të reduktuar prezencën e OSBE-së në Tiranë. Ministri i Jashtëm Lulëzim Basha bëri dje të ditur se do të shkojë pas pak ditësh në Vjenë, në Këshillin e Përhershëm të OSBE-së, për të kërkuar që misioni i këtij organizmi të punojë në Shqipëri vetëm për reformën në drejtësi dhe atë zgjedhore. Duke folur për bashkëpunimin e gjatë mes Shqipërisë dhe OSBE-së, Basha tha se “me Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, OSBE, Shqipëria ka një marrëdhënie të veçantë. Shqipëria është anëtare e OSBE-së dhe njëlloj e interesuar si vendet e tjera anëtare për fuqizimin e saj dhe të aktivitetit të saj. Prej disa vitesh ne punojmë në mënyrë të suksesshme me praninë e saj në Shqipëri, e cila, duhet theksuar, ka dhënë një ndihmë të çmuar në zhvillimet demokratike në vend”. Duke arsyetuar kërkesën për ndryshimin dhe zvogëlimin e rolit të kësaj organizate në Tiranë, ministri i Jashtëm tha se “është pikërisht ky rekord i Pranisë, analiza e detajuar e një aktiviteti shumëdimensional që na ka çuar në konkluzionin dhe gatishmërinë për të ndërtuar një marrëdhënie më të ngushtë me Praninë, duke e përqendruar aksionin e saj në fushat dhe aspektet për të cilat ne mendojmë se ajo ka ekselencën për të ndihmuar rrugëtimin tonë në përmbushjen e prioriteteve madhore të programit tonë të zhvillimit, me theks të veçantë në reformën zgjedhore dhe reformën në drejtësi”. Në këtë pikë ai bëri të qartë se kërkesa për minimizimin e rolit të OSBE-së do të bëhet tashmë zyrtare. Basha bëri të ditur se pas pak ditësh ai do të shkojë në Këshillin Permanent në Vjenë për të diskutuar edhe më tej “për marrëdhëniet tona të sotme dhe të ardhme me OSBE-në”. Para pak kohësh ishte vetë Basha i cili i shkroi Sekretarit të Përgjithshëm të kësaj organizate, ku i kërkoi që të rishikonte mënyrën e qëndrimit të zyrës së saj në Tiranë, duke deklaruar se nuk ishte më e nevojshme asistenca në disa fusha për shkak të përparimit që ka bërë vendi. Ndërkaq, ministri e cilësoi si shumë të rëndësishëm rolin e vendit tonë në organizata të tjera rajonale dhe ndërkombëtare, siç është Organizata e Bashkëpunimit Ekonomik të Detit të Zi, Organizata Ndërkombëtare e Frankofonisë dhe anëtarësimin në Grupin e Miqve të Forumit të Aleancës së Qytetërimeve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›