E Shtunë, 31 Tetor 2026

Premtimi i Fratinit për vizat, PS sulmon qeverinë

Deklarata e ministrit të Jashtëm italian, Franko Fratini, dy ditë më parë në Tiranë, se shqiptarët do lëvizin lirshëm në Evropë që nga qershori i 2009-s, xhelozon Partinë Socialiste. Dje, kryetari i Komisionit të Jashtëm të PS-së, Taulant Balla, në përballje me Fratinin, vuri deklaratat e zëvendëspresidentit të Komisionit Evropian, Jacques Barrot, i cili, sipas PS-së, është shprehur se dita e liberalizimit të plotë të vizave me Shqipërinë është ende shumë larg dhe se vendimi për liberalizimin nuk do të merret as në vitin 2009. Të njëjtin qëndrim PS mbajti edhe për firmosjen e protokollit për anëtarësimin në NATO nga ana e Presidentit Bush disa ditë më parë, ku në vend ta përshëndesnin, u nxituan të bënin premtime elektorale për reformën në drejtësi. Dje Partia Socialiste akuzoi Kryeministrin Berisha se ka gënjyer shqiptarët, por edhe ministrin e Jashtëm italian, me një model të pasaportës së re biometrike. Referuar vizitës se Fratinit dy ditë më parë në vendin tonë, kryetari i Komisionit të Jashtëm në PS, Taulant Balla, tha se Kryeministri duke mbajtur në duar dosjen prezantuese të modelit të paraqitur nga kompania fituese e tenderit të pasaportave, gënjeu duke thënë se pasaportat e reja dhe kartat e identitetit janë gati, dy elementë shumë të rëndësishëm qoftë për liberalizimin e vizave, qoftë për standardin e munguar të zgjedhjeve në Shqipëri. “Deri sot asnjë shqiptar nuk ka marrë në dorë pasaportën e re dhe kartën e identitetit. Ne, të gjithë shqiptarët, por edhe përfaqësuesit e Bashkimit Evropian nuk kemi nevojë të shohim projektet, është koha të shohim rezultatet”, - shtoi Balla.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›