Gjykata e Apelit: Ndoka, kryetar legjitim i PDK-së, reagon Gurakuqi
Gjykata e Apelit rrëzoi dje padinë e Anton Gurakuqit dhe pretendimet e tij se është kryetar i PDK-së, duke i dhënë mundësinë Kryeministrit Sali Berisha të zgjedhë Nard Ndokën si aleat në qeveri. Njoftimin për vendimin e gjykatës e bëri zyra pranë PDK-së së Ndokës, ndërkohë që partia tjetër me të njëjtin emër e drejtuar nga Anton Gurakuqi e kundërshton këtë njoftim si të pavërtetë duke theksuar se procesi vazhdon pasi po heton prokuroria. Sipas PDK-së trupi gjykues, i përberë nga tre anëtarë, pasi mori në shqyrtim animimin e palës paditëse, të përfaqësuar nga avokati Avni Shehu, hodhi poshtë pretendimet e palës paditëse dhe njohu legjitimitetin e Kongresit të Jashtëzakonshëm të PDK-së të datës 03.06.2006, që zgjodhi kryetar z. Nard Ndoka. Të tre anëtarët që përbënin trupin gjykues, votuan pro këtij vendimi të formës së prerë, pasi pala paditëse nuk paraqiti asnjë argument ligjor për të mbështetur pretendimet e saj. Ndërkaq, trupi gjykues vlerësoi se i gjithë dokumentacioni i Kongresit, i regjistruar në gjykatë, është në përputhje me ligjin për partitë politike. Ndërkaq Gurakuqi pranon se është rrëzuar kërkesa, por shton se ky proces nuk ka marrë fund. “E vërteta lidhur me këtë situatë është kjo: Gjykata e Apelit dje nuk mori në shqyrtim kërkesën për zbardhjen e falsifikimeve të Nard Ndokës, ndërsa ju informojmë me përgjegjësi publike se organi i Prokurorisë së Tiranës është institucioni që po heton falsifikimet e këtij personi që po përpiqet dita ditës t’u fshihet akuzave të hedhura në adresë të tij, pas lojërave të pista politike”, deklaron Gurakuqi. Sipas tij është Gjykata e Shkallës së Parë institucioni që ka vijuar procesin dhe pritet të vendosë shumë shpejt se kush do të jetë Kryetari i Partisë Demokristiane të Shqipërisë. Ndërsa Ndoka duke sulmuar Gurakuqin shprehet se “njohja nga Gjykata e Apelit e legjitimitetit të PDK-së dhe të kryetarit të saj, z. Nard Ndoka, ndërkaq u jep fund spekulimeve me emrin e PDK-së, të individëve që nuk përfaqësojnë këtë parti, por që mbahen në poste të larta shtetërore, vetëm që të dëmtojnë imazhin dhe profilin politik të PDK-së”. PDK-ja përshëndet paanshmërinë e gjykatës dhe respektimin e ligjit nga ana e trupit gjykues.